Administrata Tatimore ka dërguar 278 kërkesa zyrtare në kuadër të fushatës për formalizimin e ofruesve jorezidentë të shërbimeve elektronike, duke përfshirë aktivitete që variojnë nga rrjetet sociale dhe shërbimet “cloud”, te platformat e pagesave, rezervimet turistike dhe argëtimi dixhital. Për këta operatorë, legjislacioni shqiptar kërkon regjistrimin për TVSH nëpërmjet një përfaqësuesi tatimor pa asnjë prag minimal regjistrimi.
Të dhënat bëhen publike në Planin e Tregtisë dhe Shërbimeve Online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, i cili e paraqet këtë fushatë si bazën mbi të cilën do të zgjerohet më tej kontrolli i ekonomisë dixhitale.
Sipas dokumentit, kategoritë e synuara nga kërkesat e Tatimeve përfshijnë rrjetet sociale dhe komunikimin, software-in dhe shërbimet cloud, platformat e pagesave elektronike, argëtimin dixhital dhe lojërat, platformat e rezervimeve turistike, si dhe shërbimet e sigurisë kibernetike dhe infrastrukturës.
Detyrimi mbështetet në nenin 86 dhe dispozitat pasuese të ligjit nr. 92/2014 “Për TVSH-në”. Sipas planit, ofruesit jorezidentë të shërbimeve elektronike duhet të regjistrohen në Shqipëri nëpërmjet një përfaqësuesi tatimor, pavarësisht nivelit të qarkullimit, pasi për këtë kategori nuk zbatohet prag regjistrimi.
Komunikimi me operatorët e huaj është realizuar drejtpërdrejt me departamentet tatimore të kompanive ose nëpërmjet firmave ndërkombëtare të këshillimit tatimor, të cilat mund të marrin rolin e përfaqësuesit tatimor në Shqipëri.
Eksperienca e kësaj fushate pritet të përdoret tashmë edhe për tregtinë online në vend. DPT thekson se plani i ri “nuk nis nga e para”, por do të mbështetet te mekanizmat e përdorur për ofruesit e huaj, veçanërisht te kryqëzimi i të dhënave për identifikimin e aktivitetit ekonomik dhe detyrimeve tatimore.
Formalizimi i ekonomisë dixhitale është përfshirë gjithashtu në Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024-2028, ndërsa Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027 ka si një nga objektivat reduktimin e hendekut të TVSH-së. Sektori online është përcaktuar nga Tatimet si një sektor me përparësi risku për periudhën në vijim./ekofin.al

