Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nga Kuvendi kërkoi më shumë thellim në pyetjen që ajo i drejtoi kryeprokurorit Olsian Çela për sa i takon ndërtimeve në Tiranë.
Tabaku i kërkoi Çelës që të gjenden mënyra konkret se si të ndalohen kompanitë që marrin leje ndërtimi për kulla 200 milionë euro me zero bilance.
“A ka ndonjë hapësirë ligjore që ne mund të ndryshojmë? Çfarë mund të bëhet për të stopuar, për të ndaluar këtë që po ndodh me ndërtimin në qytetin e Tiranës por edhe më gjërë. Se të ngremë duart dhe të themi që është e pamundur, nuk është përgjigje e mjaftueshme”– iu drejtua Jorida Çelës.
Më tej ajo tha se sot pastrimi i parave, korrupsioni, krimi i organizuar që kanë krijuar një qark të mbyllur, kanë ulur vlerën e euros me 30%.
Kjo sipas Tabakut është një kambanë alarmi për ekonominë shqiptare.
Tabaku: Në maj të vitit 2022 Komisionin e Ligjeve, ishte sikur shteti hiqte dorë. Unë dua t’ju citoj atë që keni thënë. Ka një shqetësim të madh për mungesën e Kontrollit për investime të dyshimta në ndërtim.
Duke iu referuar kullave në Tiranë. Sipas jush, Prokuroria më e madhe në vend ka 7 prokurorë në seksionin e pastrimit të parave, që nuk bëjnë asgjë. Ndërkohë që në gjykimin tonë, kjo është përkeqësuar në vite.
Në Tiranë janë dhënë 1.9 milionë metra katrorë leje ndërtimi. Që është një shifër e jashtëzakonshme, e papërballueshme për sektorin bankar. E papërballueshme për asnjë kompani.
Në raportin e SPAK-ut të 2023-shit, thuhej që sot grupet kriminale po përdorin hapësirën ligjore për të pastruar para. Që do të thotë po përdorin ndërtimin, po përdorin koçensionet, po përdorin PPP. Pyetja ime ishte shumë e drejtpërdrejt për ju.
Sot ka kompani që marrin leje ndërtimi për kulla 200 milionë euro me zero bilance. A ka ndonjë hapësirë ligjore që ne mund të ndryshojmë? Çfarë mund të bëhet për të stopuar, për të ndaluar këtë që po ndodh me ndërtimin në qytetin e Tiranës por edhe më gjërë. Se të ngremë duart dhe të themi që është e pamundur, nuk është përgjigje e mjaftueshme.
Sot pastrimi i parave, korrupsioni, krimi i organizuar që kanë krijuar një qark të mbyllur, kanë ulur vlerën e euros me 30%, dhe kjo është një kambanë alarmi për ekonominë shqiptare. Prandaj pyetja që kisha ishte me të vërtete edhe në sensin pozitiv.
Çfarë mund të bëjmë. A mund të propozojmë ligje të cilat mund të ndalojnë kompanitë që nuk kanë eksperiencë në ndërtim, që kanë kapital zero që të marrë leje ndërtimi? A mundet që të fillojmë të krijojmë një qark të mbyllur se ku shkojnë paratë, nga vijnë paratë që shkojnë në ndërtim në Tiranë, sepse pas 3 vitesh të asaj deklarate, situata është akoma edhe më keq.
Unë besoj se nuk mora përgjigje për pyetjet që unë ngrita. Shifrat që ju jepni janë statistika. Ju mund të mendoni që mund të ketë ecur mirë, që mund të keni bërë mirë. Por sot kriza që ka ekonomia shqiptare, është pastrimi i parave në ndërtim./Panorama
