Një sulm ajror në shkallë të gjerë i kryer nga Izraeli ndaj Iranit ka shkaktuar reagime në tregjet globale, duke nxitur rritje të ndjeshme të çmimeve të arit dhe naftës, si dhe rënie të aksioneve amerikane.
Pas lajmit për sulmin, çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare u rrit me 1.5%, duke arritur në 3,436.97 dollarë për ons.
Kjo rritje ndodhi pas një vale pasigurie që kishte filluar më herët gjatë javës për shkak të tensioneve tregtare SHBA-Kinë, por përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Iran duket se ka nxitur kërkesën për vende të sigurta investimi si ari.
Ndërkohë, tregu i naftës shënoi gjithashtu një kërcim të ndjeshëm. Kontratat e ardhshme të naftës Brent, që skadojnë në korrik, u rritën me 8.5%, duke arritur në 75.15 dollarë për fuçi – niveli më i lartë që nga fillimi i shkurtit. Nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 8.4%, në 73.68 dollarë për fuçi. Kjo rritje pasqyron shqetësimet për ndërprerje të furnizimit global nëse konflikti përshkallëzohet më tej.
Lajmi për sulmet solli ndikime edhe në tregjet e aksioneve amerikane. Çmimi i S&P 500 ra me 1.5%, ndërsa ai i Nasdaq 100 pësuan rënie me 1.7%. Indeksi Dow Jones shënoi një rënie prej 1.3%, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve për pasojat gjeopolitike dhe ekonomike të konfliktit.