Një person i armatosur ka hapur zjarr në qytetin e vjetër të Jerusalemit, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë. Personi i armatosur, të cilin zyrtarët e identifikuan si një anëtar i grupit militant palestinez, Hamas, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të sigurisë.
Një civil i plagosur vdiq në spital nga plagët e marra. Një tjetër u plagos rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe dy policë izraelitë, thanë zyrtarët. Ministri i Sigurisë së Brendshme, Omer Bar-Lev, tha se sulmuesi kishte përdorur një pushkë automatike.
Sulmi ndodhi pranë një porte të një kompleksi në Jerusalemin Lindor që shumë shpesh është pikë e dhunës. Në atë pjesë ndodhet xhamia Al-Aksa, një nga vendet më të nderuara të Islamit, dhe gjithashtu vendi më i shenjtë në Judaizëm, i njohur si Mali i Tempullit.