Kryeministri i Greqisë njoftoi 1 miliard euro përfitime financiare për familjet me të ardhura më të ulëta dhe programin e investimeve publike, pasi vendi u bë një nga të paktët anëtarë të Bashkimit Evropian që kishte një suficit buxhetor në vitin 2024.
Vetëm gjashtë nga 27 vendet anëtare të BE-së shënuan suficit për vitin 2024, treguan shifrat e publikuara nga Eurostat. Suficiti i Greqisë prej 1.3% të produktit të brendshëm bruto – krahasuar me një deficit të përgjithshëm të BE-së prej 3.2% – ishte një përmirësim i dukshëm në performancën financiare për një vend që ishte zhytur thellë në një krizë borxhi që tronditi BE-në dhe tregjet financiare ndërkombëtare rreth një dekadë më parë.
Shifrat “shënojnë një mbiperformancë të konsiderueshme të ekonomisë kombëtare dhe një tepricë në arkat e shtetit. Që do të thotë se, me ndihmën e të gjithëve, ne dolëm shumë më mirë nga sa prisnim,” tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një fjalim televiziv drejtuar kombit.
“Rritja dinamike, së bashku me luftën kundër evazionit fiskal dhe një sërë masash të tjera reformuese, sollën të ardhura shtesë, madje edhe mbi objektivat që kishim vendosur”, tha Mitsotakis. “Pra, pavarësisht rregullave strikte fiskale evropiane, një pjesë e konsiderueshme e tyre tani mund t’u kthehen qytetarëve.
Për të trajtuar problemet e strehimit, qiramarrësve do t’u kthehet kostoja e qirasë së një muaji çdo nëntor, duke filluar nga ky vit, tha Mitsotakis, ndërsa 250 euro në vit do t’u jepen në fund të çdo nëntori personave të moshuar, me aftësi të kufizuara dhe të pasiguruar.
Ministri i Financave Kyriakos Pierrakakis tha se kthimet e qirasë do t’u shpërndahen familjeve sipas nivelit të të ardhurave vjetore dhe do të aplikohen për 948,000 familje, ose rreth 80% e qiramarrësve në Greqi, ndërsa përfitimi prej 250 euro do të zbatohet për një total prej 1.4 milionë banorësh.
500 milionë euro shtesë në vit do të paguhen në Programin e Investimeve Publike të vendit për të përshpejtuar infrastrukturën publike dhe projektet sociale “dhe, në mes të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare, për të rritur investimet në mënyrë që të vazhdojnë të krijohen vende të reja pune”, shtoi ai.
Performanca fiskale e Greqisë është përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme që kur filloi të dilte disa vjet më parë nga një krizë financiare gati dhjetëvjeçare, e cila e pa atë të humbte aksesin për të marrë hua në tregun ndërkombëtar të obligacioneve, duke e lënë atë të varur nga paketat e njëpasnjëshme të shpëtimit ndërkombëtar. Papunësia arriti majat pasi vendi u përball me zhdukjen e një të katërtën e ekonomisë së tij. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
