Pas deklaratave të Turqisë se do të pengojë procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe të Finlandës në NATO, nëse vendet nordike nuk marrin parasysh shqetësimet e saj në lidhje me sigurinë, delegacione nga Suedia dhe Finlanda zhvilluan në Ankara bisedime lidhur me kundërshtimet e palës turke për anëtarësimin e tyre në aleancën ushtarake të NATO-s. Finlanda dhe Suedia bënë kërkesë për t’u anëtarësuar në NATO në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Delegacioni suedez, i kryesuar nga Sekretari i Shtetit, Oscar Stenstrom dhe ai finlandez, i kryesuar nga homologu i tij Jukka Salovaara, u takuan me zëdhënësin e presidentit turk Ibrahim Kalin dhe zëvendësministrin e Jashtëm, Sedat Onal, në pallatin presidencial në Ankara.
Në një konferencë shtypi pas bisedimeve që zgjatën rreth pesë orë, Kalin tha se Turqia kishte konstatuar një “qasje pozitive” nga të dy vendet lidhur me për heqjen e kufizimeve për eksportin e armëve.
Megjithatë, ai tha se Turqia nuk do të pajtohet që dy vendet nordike të bashkohen me NATO-n, nëse nuk ndërmarrin hapa të posaçëm për të adresuar kundërshtimet e Ankarasë.