Rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i lajmeve në botë për të gjitha grupet, duke tejkaluar për herë të parë burimet tradicionale të informacionit, sipas një raporti të gjerë të Universitetit të Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Raporti “Digital News Report”, i publikuar të martën, ka pyetur 100 mijë konsumatorë lajmesh në 48 vende se nga e marrin informacionin. Ndërsa përdorimi i rrjeteve sociale si burim informacioni ka qenë në rritje prej vitesh mes të rinjve, raporti vëren se kjo është hera e parë që ato bëhen burim kryesor në të gjitha tregjet dhe për të gjitha moshat.
Pesëdhjetë e katër për qind e të anketuarve thanë se kishin përdorur rrjetet sociale për të konsumuar lajme gjatë javës së fundit, krahasuar me 51% që kishin përdorur mediat tradicionale, si televizioni, radioja apo faqet e lajmeve.
Në nivel global, 30% e të anketuarve thanë se rrjetet sociale dhe platformat video janë burimi i tyre kryesor i lajmeve, nga 22% që ishte kjo shifër në vitin 2020.
Sipas studimit, kjo përqindje rritet në 52% nëse përfshihen vetëm të anketuarit e moshës 18-24 vjeç, një shifër 32 pikë përqindjeje më e lartë se burimi tjetër më i përdorur për lajme.
Burimet tradicionale të medias, si lajmet televizive dhe aplikacionet, kanë rënë përkatësisht me 13 dhe 12 pikë që nga viti 2020, ndërsa përdorimi i rrjeteve sociale është rritur në 22 nga 48 tregjet e studiuara, sipas raportit.
Arsyet e këtij ndryshimi janë të ndryshme. Disa përdorues thanë se rrjetet sociale janë thjesht një vend më i mirë për të marrë lajme, ndërsa të tjerë thanë se shohin më pak televizion se më parë.
Raporti e përshkruan rritjen e rrjeteve sociale si “më shumë një lëvizje graduale sesa një zhvendosje të menjëhershme, por megjithatë një moment të rëndësishëm”.
Mediat tradicionale vijojnë të jenë përpara rrjeteve sociale në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Suedi, Finlandë, Republikën Çeke, Austri, Belgjikë, Holandë, Irlandë dhe Kroaci, si edhe në disa vende aziatike, sipas studimit.
Në këto vende ka një besim më të gjerë publik te institucionet tradicionale të medias krahasuar me vende të tjera. Mesatarisht, përdoruesit e rrjeteve sociale në këto vende janë më pak të varur nga krijues individualë për lajmet e tyre, thuhet në raport.
Ata që raportuan se përdorin rrjetet sociale shpesh vazhdojnë t’u drejtohen kanaleve dhe ofruesve të njohur të lajmeve për të marrë informacion. Megjithatë, raporti thekson se ofruesit e lajmeve “po luftojnë fort për të ruajtur pjesën e tyre”.
Në vendet ku rrjetet sociale dominojnë si burim informacioni, ka kritika për mënyrën se si mediat tradicionale kanë mbuluar konfliktet, si lufta në Iran apo lufta Izrael-Hamas në Gaza.
Për shembull, pothuajse 40% e personave nën 35 vjeç thonë se rrjetet sociale janë mënyra më e mirë për të ndjekur lajmet për luftën në Iran, krahasuar me personat mbi 35 vjeç, të cilët preferojnë televizionin ose faqet e lajmeve.
Raporti vëren gjithashtu se 10% e njerëzve kanë përdorur inteligjencën artificiale si burim lajmesh gjatë javës së fundit, çka sipas tij tregon se përdorimi i saj për këtë qëllim ende nuk ka shpërthyer.
Megjithatë, studimi paralajmëron se ndryshimet e fundit në motorin e kërkimit të Google, për t’i dhënë përparësi “AI mode”, mund të ndryshojnë zakonet e konsumit të lajmeve nga përdoruesit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

