Para se të shfaqet një atak kardiak, goditje në tru apo sëmundje tjetër kardiovaskulare, pothuajse gjithmonë ka shenja paralajmëruese, sipas një studimi të ri.
Këto shenja janë faktorë të njohur rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, por sipas studimit të publikuar të hënën në Journal of the American College of Cardiology, mund të bëhet më shumë për të reduktuar rastet e sëmundjeve të zemrës.
Për këtë studim, studiuesit analizuan të dhëna nga dy grupe: mbi 600,000 raste të sëmundjeve kardiovaskulare në Korenë e Jugut dhe 1,000 raste të tjera në Shtetet e Bashkuara. Ata shqyrtuan se ç’përqindje e këtyre rasteve paraprihej nga faktorët tradicionalë të rrezikut, si tensioni i lartë i gjakut, sheqeri në gjak, kolesteroli dhe duhani.
Sipas të dhënave, në më shumë se 99% të rasteve me sëmundje kardiovaskulare, dështim të zemrës apo goditje në tru, pacienti kishte të paktën një faktor rreziku përpara incidentit.
“Edhe rritjet ‘të lehta’ të këtyre 4 faktorëve duhen adresuar me ndryshime në stilin e jetesës apo me ilaçe,” tha Dr. Philip Greenland, një nga autorët kryesorë të studimit dhe profesor i mjekësisë parandaluese në Northwestern University në Çikago.
Përtej diagnozave
Studimi është i rëndësishëm sepse tregon se mjekët dhe pacientët mund të menaxhojnë faktorët e rrezikut në pothuajse të gjitha rastet e sëmundjeve të zemrës, tha Dr. Susan Cheng nga Cedars-Sinai Medical Center në Los Anxhelos. Ajo nuk ishte pjesë e studimit.
Në të kaluarën, disa kërkime sugjeronin se një numër rastesh nuk kishin indikatorë tradicionalë të rrezikut. Por ky studim, duke u bazuar në të dhënat e detajuara mjekësore të pacientëve (jo vetëm diagnozat), tregoi se pothuajse të gjitha rastet kishin faktorë rreziku të modifikueshëm përpara se të zhvillonin sëmundje kardiovaskulare.
Kjo nënkupton se mënyra më e mirë për të ulur rrezikun është menaxhimi i vazhdueshëm i faktorëve si sheqeri në gjak, tensioni, kolesteroli dhe duhani.
Jo luftë ndaj plakjes, por rritje jetëgjatësie
Shkenca ka mësuar shumë mbi sëmundjet e zemrës gjatë shekullit të fundit dhe mënyrat për parandalimin e tyre janë relativisht të konsoliduara, tha Dr. Karen Joynt Maddox nga Washington University. Megjithatë, zbatimi i tyre shpesh është sfidues, pasi rreziku i sëmundjeve të zemrës shihet si diçka abstrakte.
Dr. Ahmed Tawakol nga Harvard Medical School shtoi se menaxhimi i tensionit, sheqerit dhe kolesterolit nuk do të thotë se po humb diçka, por përkundrazi se po ruan jetëgjatësinë dhe shëndetin, duke krijuar më shumë vite aktive dhe me kuptim.
Sjellje dhe zakone të shëndetshme
Teknologjia për menaxhimin e faktorëve të rrezikut ka përparuar. Matja e rregullt e tensionit në shtëpi, bashkëpunimi me mjekun dhe planifikimi i trajtimit janë hapa bazë. Përveç faktorëve klinikë, edhe stili i jetesës ka rëndësi: gjumi i mirë, aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme, pesha e balancuar dhe ulja e stresit janë kyçe për të ulur rrezikun.
“Stresi dhe depresioni rezultojnë të jenë po aq faktorë rreziku sa duhani dhe diabeti,” tha Tawakol.
Ai shtoi se sa më shumë të kombinohen qasjet për trajtimin e këtyre faktorëve, aq më shumë njerëzit mund të përfitojnë nga jetëgjatësia dhe shëndeti i mirë./ Përshtati nga CNN, ekofin.al

