Evropianët humbasin mesatarisht 294 euro fuqi blerëse për çdo 10,000 euro që mbajnë në bankë, sipas një studimi të Revolut, i cili gjeti 6.3 trilionë euro të vendosura në depozita me kthim të ulët në 20 vende të BE-së, pikërisht në një kohë kur Brukseli po përpiqet t’i drejtojë këto para drejt tregjeve të kapitalit.
Të mos bësh asgjë me kursimet ka një kosto dhe të dhënat e reja tregojnë sa e madhe është ajo.
Revolut publikoi javën e kaluar European Wealth Drain Index, një indeks që kombinon një anketë me 20,007 të rritur në 20 shtete anëtare me të dhënat zyrtare për depozitat dhe inflacionin. Rezultati tregon një kontinent ku familjet po humbasin gradualisht fuqi ekonomike ndërsa paratë e tyre qëndrojnë në llogari bankare.
Në 12 nga 20 tregjet e përfshira në studim, normat mesatare të depozitave njëvjeçare nuk arrijnë të kompensojnë inflacionin.
Në të gjithë kampionin, depozitat ofrojnë një interes mesatar prej 2.76%, kundrejt një inflacioni prej 2.94%, çka do të thotë se edhe kursimtarët që i bllokojnë paratë në depozita po humbasin në terma realë.
Pasiviteti, konfuzioni dhe lodhja nga aplikacionet
Kostoja e mundësisë së humbur është edhe më e madhe se humbja nga inflacioni.
Duke marrë si pikë krahasimi kthimin mesatar vjetor prej 9.06% të ETF-së MSCI Europe gjatë dhjetë viteve të fundit, Revolut llogarit se familjet heqin dorë mesatarisht nga 638 euro për çdo 10,000 euro në vit, duke i mbajtur paratë në cash ose depozita.
E shtrirë mbi shumën prej 6.3 trilionë eurosh, kjo përkthehet në rreth 422 miliardë euro në vit kapital potencial për rritje që nuk arrin te bizneset europiane.
Arsyet pse kursimtarët nuk lëvizin paratë lidhen kryesisht me tre faktorë.
Dy të tretat nuk e kanë ndryshuar kurrë bankën për të përfituar një normë më të mirë interesi; 26% thonë se thjesht preferojnë bankën ku ndodhen aktualisht, 18% mendojnë se diferenca është e papërfillshme dhe 15% nuk dinë ku të kërkojnë alternativa.
Pothuajse gjysma, 46%, e vlerësojnë gabim kthimin e tyre pasi merret parasysh inflacioni, ndërsa 19% nuk e dinë fare se inflacioni ndikon mbi paratë e tyre. Më shumë se gjysma përdorin disa aplikacione financiare dhe, mes tyre, 45% thonë se ky fragmentim e vështirëson investimin.
Për më tepër, një në pesë europianë nuk ka fare kursime.
Nëse ky pasivitet është kaq i rrënjosur, pyetja është nëse produkte më të mira financiare mund ta ndryshojnë sjelljen apo nevojiten masa më të forta, si regjistrimi automatik që është përdorur për të rritur pjesëmarrjen në skemat e pensioneve.
Rolandas Juteika, drejtues i sektorit të pasurisë dhe tregtimit në Revolut, e kundërshton një qasje të tillë.
Megjithatë, kompania e tij, e cila ka më shumë se 80 milionë klientë, ka një interes të qartë tregtar në këtë debat, pasi shet pikërisht produktet e investimit që studimi sugjeron se evropianët duhet të përdorin. Revolut raporton se numri i investitorëve aktivë me pakicë në BE në platformën e saj u rrit me 56% në krahasim me një vit më parë.
Mes atyre që nuk investojnë, anketa gjeti se pengesa kryesore është perceptimi i rrezikut për 29%, ndërsa 27% përmendin mungesën e njohurive.
“Regjistrimi i detyruar nuk trajton shkaqet kryesore të pasivitetit: perceptimin e rrezikut, 29%, dhe mungesën e njohurive, 27%”, tha Juteika për Euronews, duke shtuar se “investimi i parë mesatar i klientëve të rinj në BE në platformën tonë është vetëm 18 euro dhe ne shohim drejtpërdrejt se ulja e pragut në 1 euro i fuqizon konsumatorët të veprojnë”.
I pyetur nëse bashkimi i shërbimeve bankare, kursimeve dhe investimeve në një aplikacion të vetëm e ul realisht fragmentimin apo thjesht e zhvendos atë diku tjetër, Juteika tha se ndryshimi është strukturor.
Bashkimi i këtyre funksioneve “heq murin administrativ mes pagës, kursimeve dhe tregjeve të kapitalit të një personi”, tha ai.
Një kontinent i ndarë në tri pjesë
Dallimet rajonale janë të theksuara.
Evropa Qendrore dhe Lindore ka hendekun më të madh mes inflacionit dhe normave të depozitave, e udhëhequr nga Bullgaria me 2.3%, Sllovakia me 1.7% dhe Lituania me 1.3%. Megjithatë, gatishmëria për të filluar investimin me shuma të vogla është më e larta pikërisht në këtë rajon, me 51% të të anketuarve si në Bullgari ashtu edhe në Rumani që deklarojnë se do të ishin të gatshëm të fillonin.
Evropa Perëndimore dhe Jugore mban sasitë më të mëdha të parave të papërdorura, me Gjermaninë në 1.9 trilionë euro dhe Francën në 588 miliardë euro, ndërsa hendeku i mundësisë së humbur arrin në 6%-7%.
Evropa Veriore ka norma depozitash që përgjithësisht ecin në të njëjtin ritëm me inflacionin, por niveli më të ulët të ndërgjegjësimit. Më pak se 40% e të anketuarve në Danimarkë dhe Suedi kuptojnë se si inflacioni ndikon mbi pasurinë në afat të gjatë.
Brukseli kërkon që të njëjtat para të vihen në lëvizje
Gjetjet vijnë në mes të një debati politik tashmë aktiv.
Duke iu drejtuar drejtuesve të biznesit francez në Paris muajin e kaluar, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ngriti pothuajse të njëjtën çështje, duke i paraqitur depozitat e papërdorura si një problem për konkurrueshmërinë e Europës dhe jo thjesht si një çështje të financave personale.
“Në Europë nuk mungojnë as teknologjia dhe as kursimet”, deklaroi von der Leyen, duke shtuar se “ajo që ende mungon është kapaciteti për t’i rritur bizneset europiane në shkallë më të madhe”.
Kompanitë që nisin aktivitetin në Europë shpesh largohen për të gjetur financim, shtoi ajo, duke zhvendosur qendrën e aktivitetit të tyre ose duke u blerë tërësisht.
“Evropa ka kursime. Dhe fatkeqësisht, këto kursime qëndrojnë të papërdorura”, vijoi ajo.
“Sot, 10 trilionë euro kursime të familjeve mbahen në llogari bankare. Dhe një pjesë e madhe e kursimeve europiane investohet jashtë kontinentit tonë. Evropa tani duhet t’i vërë këto kursime në punë për kompanitë e saj. Ky është qëllimi i Unionit të Kursimeve dhe Investimeve.”
Shifra prej 10 trilionë eurosh e Komisionit dhe ajo prej 6.3 trilionë eurosh e Revolut matin gjëra të ndryshme.
Shifra e Komisionit përfshin kursimet e familjeve të mbajtura në llogari bankare në të gjithë BE-në, ndërsa Revolut llogarit vetëm depozitat likuide në 20 tregjet e përfshira në anketën e tij, duke lënë jashtë shtatë shtete anëtare.
Llogaria që shpjegon interesin e Brukselit është e drejtpërdrejtë.
Raporti Draghi vlerësoi se Evropa ka nevojë për 750 deri në 800 miliardë euro investime shtesë në vit deri në vitin 2030 për të financuar dixhitalizimin, energjinë, mbrojtjen dhe infrastrukturën, një shumë që shtetet anëtare nuk mund ta sigurojnë vetëm përmes huamarrjes.
Borxhi publik ishte 82.9% e PBB-së së BE-së në tremujorin e parë të këtij viti dhe 88.9% në eurozonë, sipas Eurostat. Nëse këto para nuk do të vijnë nga qeveritë, ato duhet të gjenden diku tjetër.
Unioni i Kursimeve dhe Investimeve, i miratuar si strategji në mars 2025 dhe i mbikëqyrur nga Komisionerja për Shërbimet Financiare Maria Luís Albuquerque, është instrumenti që synon ta bëjë këtë.
Ai nuk është një mekanizëm për të prekur depozitat e qytetarëve dhe nuk i jep askujt kompetencë për ta bërë këtë.
Në vend të kësaj, strategjia mbështetet në stimuj dhe në përmirësimin e infrastrukturës së sistemit financiar: rekomandime për llogaritë e kursimit dhe investimit që u japin kursimtarëve të vegjël një rrugë më të thjeshtë drejt tregjeve të kapitalit; rishikimin e produktit paneuropian të pensioneve, për të cilin Këshilli arriti një qëndrim në qershor; rregulla për titullizimin; ndryshime në mënyrën se si bankat dhe siguruesit mund të investojnë; si dhe mbikëqyrje më të thelluar.
“Së bashku, këto masa mund të çlirojnë deri në 470 miliardë euro investime shtesë”, tha von der Leyen.
Juteika mbështet këtë përpjekje, por thotë se mungon një element.
“Është e rëndësishme që BE-ja të mbështetet në një treg të vetëm të unifikuar, të nxitur nga parimet e open banking dhe open finance, duke u mundësuar qytetarëve të shohin të gjithë panoramën e tyre financiare, të përfitojnë nga inovacioni dhe të lëvizin kapitalin pa pengesa”, tha ai për Euronews.
Ai shtoi se “ndërsa politikat po përpiqen të arrijnë zhvillimet e tregut, ne tashmë po e kapërcejmë këtë hendek në të 27 shtetet anëtare”.
Jo të gjithë janë të bindur. Kritikët argumentojnë se një Komision që përballet me një boshllëk kaq të madh financimi ka një interes të qartë për të ndikuar mbi destinacionin e parave të familjeve dhe se mbikëqyrja e harmonizuar përqendron më shumë autoritet në Bruksel mbi vendime që më parë u liheshin rregullatorëve kombëtarë dhe vetë kursimtarëve.
Afati është i shkurtër dhe von der Leyen ka sinjalizuar tashmë se nuk do të presë domosdoshmërisht të gjithë.
“Tani duhet të arrijmë një marrëveshje para fundit të vitit, idealisht me të 27 shtetet anëtare. Por nëse kjo nuk funksionon, nëse është e nevojshme, do ta bëjmë me ata që janë gati”, deklaroi ajo./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
