Strategjia e re e turizmit 2024-2030 parashikon hartimin e një rregulloreje që do të përcaktojë një kuadër të qartë për zhvillimin e projekteve turistike me shumë komponentë, ku përfshihen hotelet dhe rezidencat e markës dhe jo të markës. Arritja e një strukture të mirëbalancuar të tipologjive të ndryshme të akomodimit brenda resorteve të ardhshme turistike në Shqipëri është thelbësore për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë dhe për të parandaluar ndërtimet e tepërta me të cilat po përballet Shqipëria, thuhet në dokument.
Rregullimi i kujdesshëm i llojeve të pranueshme të zhvillimit të pasurive të paluajtshme brenda resorteve turistike do të parandalonte problematika të ndryshme, siç mund të jenë qëndrueshmëria mjedisore, shfrytëzimi i sektorit të hotelerisë si alibi për ndërtimet e tepërta në zonat turistike, ndikimi në komunitet, destabilizimi i tregut të pasurive të paluajtshme përmes ofertës së tepërt etj.
Për të adresuar këto sfida, qeveria duhet të rregullojë formalisht standardet e zhvillimit dhe raportin “zona turistike/resorte”. Strategjia e investimeve në resorte duhet të orientohet me kujdes drejt rritjes së rëndësisë së hoteleve dhe komponentëve të rezidencave të markës, në vend të rezidencave jo të markës.
Në Shqipëri, hyrja e markave ndërkombëtare të hoteleve është tregues i një përkushtimi domethënës ndaj ofrimit të akomodimit të cilësisë së lartë. Nga analiza e të dhënave rezulton se nga një vlerë totale investimesh prej 792 milionë euro, 65% janë projekte të kategorisë me 5 yje, me një investim total prej 615 milionë euro, ndërsa projektet me 4 yje përfaqësojnë 35% të totalit, me 177 milionë euro investime.
Në studim u përfshi një kampion prej 12 hotelesh me pesë yje, 27 hotelesh me katër yje dhe 6 hotelesh me tre yje. Mesatarisht, këto hotele kishin 61 dhoma dhe 142 shtretër.
Duke pasur parasysh se ky kampion përfaqëson një pjesë shumë të vogël hotelesh krahasuar me përmasat aktuale të tregut, informacioni duhet të interpretohet me kujdes: normat e okupancës në hotele u rritën nga 48% në 52% në vitin 2023; norma mesatare ditore (ADR) e hoteleve ishte 56 euro; zona e rivierës jugore/detit Jon regjistroi ADR-në më të lartë me 83 euro, e cila pritet të rritet me 4%; analiza e të ardhurave konstatoi se 74% e totalit të të ardhurave vijnë nga shitjet e dhomave dhe 26% nga F&B (ushqimi dhe pijet); parametrat financiarë tregonin se, në të ardhurat totale, kostot e forcës punëtore përbënin 26%, fitimi operativ bruto (GOP) 30% dhe EBITDA 18%; kohëzgjatje mesatare e qëndrimit në hotel prej 3,8 netësh. /ekofin.al
