Drejtuesit e automjeteve mund të përballen në të ardhmen me tarifa për të hyrë në zonat me trafik të rënduar, si pjesë e masave që Shqipëria parashikon për uljen e ndotjes dhe të mbingarkesës në qytete. Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës parashikon që njësitë e qeverisjes vendore të hartojnë plane që mund të përfshijnë si kufizime për automjetet më ndotëse, ashtu edhe pagesa për makinat që hyjnë në zona të caktuara.
Masa është përfshirë në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (PKEK) 2020–2030, për dekarbonizimin e transportit.
Dokumenti përcakton se, për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe lehtësimin e trafikut në zonat me qarkullim të rënduar, pushteti vendor duhet të hartojë dhe zbatojë një paketë masash. Një prej tyre është kufizimi i qarkullimit të automjeteve me norma të larta ndotjeje në këto zona.
Për më tepër bashkitë duhet të “caktojnë tarifat e qarkullimit për automjetet që hyjnë në këto zona”, duke e trajtuar pagesën si një instrument për të kontrolluar numrin e makinave dhe për të nxitur përdorimin e mjeteve që ndotin më pak.
Kjo do të thotë se një bashki mund të përcaktojë një zonë me trafik dhe ndotje të lartë dhe, krahas kufizimeve për automjetet më ndotëse, të vendosë edhe një tarifë për hyrjen e mjeteve në të. Aktuashtu, Plani nuk cakton shumën e tarifës, qytetet ku do të zbatohet apo kategoritë konkrete të automjeteve që do të paguajnë. Këto elemente do të përcaktohen në planet dhe mekanizmat e zbatimit të pushtetit vendor.
Për të funksionuar skema, dokumenti parashikon gjithashtu ngritjen e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit, në mënyrë që të zbatohen kufizimet dhe tarifat e përcaktuara.
PKEK kërkon gjithashtu përgatitjen e një plani optimal parkimi dhe caktimin e tarifave optimale të parkimit, veçanërisht pranë nyjeve kryesore të transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Për këtë masë dokumenti vendos si afat vitin 2026.
Masat janë pjesë e një politike më të gjerë për uljen e konsumit të karburanteve dhe të emetimeve nga transporti. Plani synon gjithashtu promovimin e transportit publik, përdorimin e automjeteve me eficiencë më të lartë energjetike, përmirësimin e rrugëve dhe planifikimin urban që redukton nevojën për lëvizje të gjata. /ekofin.al
