Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024 – 2030, publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikon se afati 6-vjeçar do të konsiderohet si faza e fundit e reformave madhore.
Në këtë fazë synohet të konsolidohet kuadri ligjor në përputhje me acquis të BE dhe standardet evropiane, të eliminohet stoku i çështjeve të prapambetura gjyqësore, të rritet cilësia e shërbimeve dhe të ofrohet një drejtësi në të njëjtat nivele si në vendet e Bashkimit Evropian.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Strategjisë është rreth 5.93 miliardë lekë, ose rreth 56.4 milionë euro.
Peshën më të madhe në terma financiare do ta ketë rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, përkatësisht 55.5%. Një prej synimeve është edhe ngritja e godinës së Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë së Apelit, duke përfshirë ambiente të përshtatshme për funksionimin e tyre.
Hendeku financiar për të gjithë periudhën 2024–2030 është 434.2 milionë lekë ose 7.3% e kostove indikative. Për periudhën 2024–2026, buxheti i shtetit pritet të financojë 54.8% të kostove indikative totale të zbatimit të planit, ndërsa 37.9% janë shpenzimet e planifikuara për periudhën 2027–2030.
Për masat e planit që janë të pambuluara financiarisht, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, përveç adresimit të nevojave në programet buxhetore, do të negociojnë me donatorë të ndryshëm për t’i bashkëfinancuar disa aktivitete.
Plani i veprimit do të rishikohet pas 3–4 vjetësh për ta përshtatur me progresin në zbatimin e masave, por edhe sipas nevojave dhe shpenzimeve buxhetore afatmesme, thuhet në dokument./ ekofin.al