Një grup i deputetëve të Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend propozimin për projektiligjin “Për statusin e minatorit”.
Sipas relacionit, projektligji ka për qëllim të rregullojë statusin e minatorëve në Shqipëri, duke garantuar mbrojtje të veçantë sociale dhe përmirësimin e kushteve të punës për minatorët, të cilët përballen me rreziqe të larta për shkak të punës së tyre.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kushteve shëndetësore dhe sigurisë në punë, duke sigurar që minatorët të kenë akses në shërbime shëndetësore dhe mbrojtje sociale. Propozohet që pranë çdo miniere të ngrihen qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialist që trajtojnë problematika shëndetësore të shkaktuara nga puna nën tokë.
Shifrat e publikuara nga Inspektoriati Shtetëror i Punës tregojnë se 20% të aksidenteve në punë në shqipëri, shpesh me pasoja fatale për jetën, ndodhin në miniera, çka tregon se sa i dobishëm do të ishte statusi i minatorit për këtë kategori. Numri i minatorët që kanë humbur jetën në subjektet pa licencë mbetet i papërcaktuar, thuhet në document.
Sa u përket pagave, ajo të përcaktohet në kontratën kolektive, por në asnjë rast nuk mund të jetë më pak se dyfishi i pagës minimale në vend.
Minatorët duhet të përfitojnë pension të veçantë, në përputhje me vitet e shërbimit dhe nivelin e rrezikshmërisë së profesionit. Ata që kanë punuar të paktën 25 vite në minierë, kanë të drejtën të dalin në pension të parakohshëm, pa penalitete. Minatorët që kanë punuar të paktën 10.5 vite nën tokë, mund të dalin në pension përpara 25 vjet pune, por jo më pak se 20 vite. Për ata që kanë përfituar pension të plotë ose invaliditeti, pë rata që kanë dalë të papunë nga mbyllja e minierave përpara në hyrjes në fuqi të ligjit, do të përfitojnë 50% të kësaj mase. Në asnjë rast pensioni nuk mund të jetë më i vogël se 130% e pagës minimale.
E drejta e pensionit nuk parashkruhet. Ndërsa pensioni suplementar për minatorët të jetë 3% shtesë për çdo vit shërbimi mbi kufirin minimal të përcaktuar për pensionin bazë.
Për të marrë statusin, çdo minator duhet të bëjë kërkesë para Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, duke paraqitur librezën e punës dhe vërtetimin e pagimin të sigurimeve shoqërore. Ndërsa ish-minatorët, krahas këtyre dokumenteve, duhet të paraqesin edhe vërtetimin e pagës. Kërkesa shqyrtohet brenda 15 ditëve.
Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë, nga buxheti i shtetit. Minatorët që do të punojnë pas hyrjes më fuqi të këtij ligji, do të paguajnë contribute shtesë në masën 1.5% të pagës bruto, për efekt kontributi, ndërsa 1.5 % do të paguhet nga punëdhënësi. Kontributi shtesë i sigurimeve shoqërore, në masën 3% mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme.
Ndërkohë Kryeministri Rama gjatë takimit me pensionistët në Durrës iu përgjigj njërit prej tyre që kishte punuar si minator se statusi është miratuar me kohë. “Statusin e minatorit ne e kemi miratuar, ka kohë, nuk është e rastit që minatorët dalin në pension 10 vite para të tjerëve. Është në status, siç është dalja në pension para të tjerëve, janë edhe të gjitha përfitimet e tjera njësoj si kategoritë e tjera. Ne kemi vetëm me statuset e veçanta, me kompensimet, trajtimin e veçantë për drita etj., kemi 270 milionë euro. Tek këto 270 milionë euro përfshihen edhe minatorët”, tha Rama. “Ne do të fokusohemi tek të gjithë pensionistët për të bërë gjënë e duhur se pastaj krijohen disbalanca”, shtoi Kryeministri. /ekofin.al
