Subjektet që disponojnë struktura akomoduese apo struktura shërbimi pranë hapësirave të plazhit mund të aplikojnë tashmë online për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, në përputhje me VKM nr. 649, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, të ndryshuar. Shërbimi elektronik ofrohet përmes portalit e-Albania dhe përfshin një listë bashkish dhe plazhesh të përcaktuara si zona prioritare apo përjashtimore.
Sipas rregullores, përzgjedhja e subjekteve bëhet mbi bazën e një rendi prioriteti të qartë. Në krye qëndrojnë subjektet që disponojnë strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe që kanë hapësirë plazhi para strukturës. Më pas vijnë ato me hapësirë plazhi në afërsi të strukturës akomoduese. Në një nivel të tretë, përfshihen subjektet me strukturë shërbimi në plazhet përjashtimore të përcaktuara në nenin 14 të VKM-së 649/2024.
Kontratat për dhënien në përdorim të hapësirës së plazhit lidhen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) dhe nënshkruhen për një afat nga 1 deri në 5 vjet, në varësi të vendimmarrjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik. Për çdo stacion apo parcelë plazhi, aplikimi duhet të bëhet veçmas, duke iu referuar hartës dixhitale të hapësirave të lejuara.
Lista e bashkive dhe plazheve ku aplikohet ky shërbim përfshin ndër të tjera Bashkia Fier, Bashkia Divjakë, Bashkia Pogradec, plazhin Zvërnec dhe Plazhin e Vjetër në Bashkia Vlorë, plazhet Spille dhe Vilë-Bashtovë në Bashkia Rrogozhinë, si edhe zona të shumta në Bashkia Durrës, Bashkia Himarë dhe Bashkia Shkodër.
Procedura zhvillohet në tre faza, ku dy të parat lidhen me aplikimin dhe plotësimin e dokumentacionit. Në fazën e parë, subjekti ngarkon planin e operimit sipas formatit standard, fotografi të strukturës akomoduese apo të shërbimit dhe fotografi të qarta të hapësirës së plazhit për të cilën aplikohet. Kërkesa shqyrtohet nga Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve (GTSHA), i cili, në rast mangësish, njofton subjektin për plotësim brenda 30 ditëve.
Pas kualifikimit paraprak, nis faza e dytë, ku kërkohet planvendosja e stacionit të plazhit e përgatitur nga njësia e vetëqeverisjes vendore, me specifikimin e numrit të çadrave dhe respektimin e distancave sipas rregullores. Gjithashtu, subjekti duhet të paraqesë mandatpagesën vjetore për sipërfaqen e përdorur, vërtetimet për shlyerjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore, si edhe marrëveshjen e noterizuar me vrojtuesin e plazhit, të pajisur me certifikatë të vlefshme.
Vetëm pas plotësimit të këtyre kushteve, AKB dhe njësia vendore njoftohen për nënshkrimin e kontratës tip, sipas modelit të miratuar në shtojcën përkatëse të rregullores.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit është rreth 30 ditë, në varësi të vendimmarrjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik. Veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga 1 maji deri më 15 nëntor të çdo viti. Gjatë kësaj periudhe, subjekti është i detyruar të ofrojë të gjitha shërbimet dhe të përmbushë kushtet minimale sipas tipologjisë së plazhit ku operon.
Në prag të sezonit turistik, ky mekanizëm synon të formalizojë dhe standardizojë administrimin e hapësirave publike të plazhit, duke lidhur të drejtën e përdorimit me kritere të qarta, detyrime fiskale të shlyera dhe me garantimin e sigurisë për pushuesit përmes pranisë së vrojtuesve të certifikuar. Për operatorët turistikë, aplikimi në kohë dhe plotësimi korrekt i dokumentacionit mbetet kyç për sigurimin e një sezoni pa pengesa administrative. /ekofin.al

