Qeveria e Spanjës miratoi të martën një plan të gjerë për të lehtësuar problemin e strehimit në vend, një nga dobësitë kryesore politike të kryeministrit Pedro Sánchez përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Rritja e kostove të qirave dhe banesave po i nxjerr shumë spanjollë jashtë tregut, pavarësisht një boom-i të fundit ekonomik. Të ardhurat nuk kanë arritur të ndjekin të njëjtin ritëm, ndërsa analistët theksojnë se turizmi dhe rritja e popullsisë në qytete, e nxitur nga emigracioni, kanë ushtruar presion shtesë mbi ofertën.
Plani i ri, me vlerë 7 miliardë euro, trefishon investimin e qeverisë në strehimin publik gjatë katër viteve të ardhshme. Ai garanton që banesat e subvencionuara të mos riklasifikohen pas disa vitesh dhe përfshin mbështetje për qiramarrësit dhe blerësit e rinj.
“Është një hap i rëndësishëm përpara. Për herë të parë pas dekadash ka një angazhim serioz buxhetor,” tha Raluca Budian, drejtoreshë e asociuar e Observatorit për Strehim të Denjë në shkollën e biznesit Esade në Barcelonë.
Rreth 40% e fondeve do të përdoren për rritjen e ofertës së banesave publike, ku Spanja mbetet pas mesatares evropiane. Ndërkohë, 30% do të dedikohen për rinovimin e pronave, përfshirë përmirësimin e eficiencës energjetike dhe ndërtimin në zonat e shpopulluara. Pjesa tjetër do të shkojë për subvencione, me fokus të veçantë te të rinjtë.
“Publiku po kërkon një marrëveshje për të adresuar problemin kryesor që i prek aktualisht,” tha ministrja e Strehimit, Isabel Rodríguez. Sipas sondazheve shtetërore të CIS, strehimi renditet vazhdimisht ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve spanjollë.
Kostot e strehimit në Spanjë u rritën me gati 13% në baza vjetore në fund të vitit 2025, sipas Eurostat.
Spanja renditet ndër vendet e fundit të Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik për sa i përket banesave publike me qira, me më pak se 2% të ofertës totale. Mesatarja e OECD është 7%, ndërsa në Francë është 14%, në Britani 16% dhe në Holandë 34%.
Në të kaluarën, Spanja ndërtoi banesa me fonde publike që më pas kaluan në pronësi private. Pasi u shitën, ato dolën nga stoku i banesave publike./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

