Kryeministri i Spanjës njoftoi se do të ndërmarrë një sërë masash për të luftuar “dezinformimin”, për të mbrojtur të miturit, për të çrrënjosur “gjuhën e urrejtjes” dhe për të frenuar shkeljen e privatësisë së qytetarëve.
Parlamenti i Spanjës po heton Meta-n për dyshime se ka spiunuar përdoruesit në një rast privatësie “sistematik dhe masiv”, njoftoi të mërkurën Pedro Sánchez, pas një hetimi.
“Në Spanjë, ligji është mbi çdo algoritëm apo çdo platformë të madhe teknologjike. Dhe kushdo që shkel të drejtat tona do të përballet me pasojat,” tha Sánchez në një deklaratë.
Hetimi ndërkombëtar zbuloi se Meta, kompania mëmë e Instagram-it, Facebook-ut dhe WhatsApp-it, ka përdorur një mekanizëm të fshehur për të gjurmuar historikun e lundrimit në internet të përdoruesve të Android nga shtatori 2024 deri këtë verë.
“Ne do të thërrasim përgjegjësit e kompanisë dhe ekspertët për të sqaruar çfarë ka ndodhur, për të identifikuar përgjegjësitë dhe për të garantuar që të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk janë shkelur në mënyrë sistematike dhe masive,” tha Sánchez.
Kryeministri njoftoi gjithashtu një paketë masash për Big Tech, që pritet të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2026. Këto përfshijnë masa kundër dezinformimit, mbrojtjen e të miturve, gjuhën e urrejtjes dhe privatësinë.
Kjo masë mund të ushtrojë presion mbi marrëdhëniet mes administratës aktuale amerikane dhe qeverisë spanjolle.
Spanja ka futur tashmë një taksë për gjigantët e teknologjisë, të njohur si “taksë Google”, në vitin 2018, duke u bërë vendi i parë europian që e aplikon.
“Nëse disa njerëz, pavarësisht sa të fuqishëm janë — dhe janë — mendojnë se janë mbi të mirën dhe të keqen dhe se shteti ligjor nuk u aplikohet atyre, duhet t’ua themi qartë se gabohen rëndë: vendi ynë dhe Evropa nuk do të gjunjëzohen përballë gënjeshtrave, urrejtjes dhe abuzimit me pushtetin nga kjo oligarki e re teknologjike,” theksoi Sánchez gjatë fjalës së tij. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
