Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, njoftoi se qeveria e tij do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe do t’u kërkojë platformave dixhitale të miratojnë sisteme efektive për të verifikuar moshën e përdoruesve. Masa është pjesë e një pakete prej pesë ndërhyrjesh të shpallura nga udhëheqësi socialist, që synojnë të luftojnë abuzimin nga platformat e mëdha dhe sigurimin e një mjedisi dixhital të sigurt dhe demokratik që respekton të drejtat themelore.
Ndër masat e shpallura nga Sanchez është fundi i pandëshkueshmërisë për drejtuesit, duke siguruar që ata janë ligjërisht përgjegjës për shkeljet e kryera në platformat dixhitale për të cilat janë përgjegjës; Nevoja për të kriminalizuar manipulimin e algoritmeve dhe amplifikimin e përmbajtjes së paligjshme dhe për të krijuar një sistem gjurmimi dhe kuantifikimi që lejon krijimin e një “Gjurme Urrejtjeje dhe Polarizimi”, si dhe nevojën për të eksploruar, së bashku me zyrën e prokurorit, rrugët për hetimin e shkeljeve të mundshme ligjore nga Grok, TikTok dhe Instagram.
Spanja u bashkohet kështu vendeve të tjera që kanë miratuar ose po shqyrtojnë masa kufizuese për aksesin e të miturve në platformat dixhitale. Australia është ndër ato që tashmë kanë miratuar një ndalim, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë ende duke vendosur.
Edhe Greqia do t’i ndalojë rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç
Në vitin 2025, kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte deklaruar se ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç ishte vendosur në tryezën e opsioneve të qeverisë.
Konkretisht, në një aktivitet me titull “Mbrojtja e Fëmijëve në Epokën Digjitale”, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (sesioni i 80-të), z. Mitsotakis theksoi se Greqia është e gatshme të shqyrtojë edhe “ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale duke vendosur një prag për moshën e pjekurisë digjitale”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. “Nuk mund t’i përdorim vështirësitë e zbatimit të këtyre politikave si justifikim për të mos bërë asgjë për këtë problem”, theksoi ai.
Më pas, z. Mitsotakis vuri në dukje se sfida nuk kufizohet vetëm te rrjete, por shtrihet edhe te marrëdhënia e fëmijëve me mjetet e inteligjencës artificiale. “A duam vërtet që fëmijët tanë të kenë miq digjitalë që mund t’i çojnë drejt sjelljeve jo vetëm të papranueshme, por edhe shkatërruese?”, pyeti ai, duke theksuar se “kompanitë e teknologjisë duhet të kuptojnë kush i vendos rregullat. Ato nuk duhet të fitojnë para nga cenueshmëria e fëmijëve tanë.”

