Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për emërimin e Sokol Dumës në postin e zv/ministrit për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Duma ka spikatur që herët në drejtimin e programeve novatore, veçanërisht në ekosistemet e mobilitetit dhe industrisë automotive.
“Me një formim në shkenca ekonomike dhe një përvojë disavjeçare në menaxhim projektesh, administrim, publicistikë, aktivitete, duke përfshirë role si kryeredaktor dhe kurator i botimeve të shumta, Sokoli ka spikatur që herët në drejtimin e programeve novatore, veçanërisht në ekosistemet e mobilitetit dhe industrisë automotive”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, Sokoli ka qenë një forcë shtytëse pas nismave pioniere të shërbimeve të transportit rrugor dhe rritjes së standardeve të sigurisë rrugore.
“Kontributi i tij është shquar në projekte madhore si AutoMotoPark, iniciativë që do të transformojë panoramën e motorsportit në Shqipëri, në organizimin e suksesshëm të dy edicioneve të Automotive Fair Albania, panairit të parë ndërkombëtar të automobilave në vend, katalizator për rritjen e industrisë automotive në rajon, në formësimin e një kuadri rregullator gjithëpërfshirës për mjetet historike, si dhe organizimin e eventeve të shumta për Retro Albania, sensacion kulturor frymëzues për ruajtjen e trashëgimisë sonë industriale”, tha ai.
Ekspertiza e tij, vuri në dukje Gonxhja, shtrihet edhe në konceptimin e produkteve risi, riinxhenierimin e shërbimeve publike, derregullimin apo aktet nënligjore, çka u jetëzua në revolucionin që sëbashku me ekipin ndërmorëm gjatë viteve në drejtimin reformues të Automotorizimit Shqiptar (DPSHTRR).
“Ndjeshmëria e tij e mprehtë, talenti analitik e profesionalizmi i dalluar, sollën hartimin e materialeve cilësore për botime zyrtare formuese për përgatitjen e drejtueseve të mjeteve, duke dhënë një shtysë në rritjen e standardeve të edukimit mbi trafikun dhe nxitjen e një kulture të re ndërgjegjësimi mbi sigurinë rrugore. Eksperienca e tij në menaxhim dhe qasja vizionare ndaj projekteve, kompletojnë profilin e tij si një aset të vyer për sfidat që na presin në MEKI”, u shpreh Gonxhja.
