Shqipëria dhe Sllovenia synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojnë partneritete të reja mes bizneseve, me turizmin malor dhe industrinë e përpunimit të drurit mes sektorëve të identifikuar me potencial.
Mundësitë për investime dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve ishin në fokus të forumit të biznesit “Slovenia–Albania: An Economic Bridge”, të zhvilluar në kuadër të MOS Fair 2026 në Celje të Sllovenisë.
Në forum mori pjesë edhe Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro, e cila diskutoi mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja mes kompanive shqiptare dhe sllovene.
Në vijim të aktivitetit, Saro zhvilloi një takim të posaçëm me Leon Korošec, Sekretar Shteti në Ministrinë e Ekonomisë, Punës dhe Sportit të Republikës së Sllovenisë. Në qendër të bisedimeve ishin sektorët që paraqesin potencial për tërheqjen e investimeve sllovene në Shqipëri.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua turizmit malor, një segment ku Shqipëria po synon të zgjerojë ofertën turistike përtej zonave bregdetare dhe sezonit veror. Diskutimet u fokusuan te mundësitë për investime dhe bashkëpunim, si dhe te krijimi i lidhjeve më të drejtpërdrejta mes aktorëve ekonomikë të dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu forcimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet AIDA-s dhe SPIRIT Slovenia, agjencisë sllovene për promovimin e sipërmarrjes, ndërkombëtarizimit dhe investimeve. Pala sllovene shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në forume dhe aktivitete të rëndësishme ekonomike që pritet të organizohen në Tiranë.
Një tjetër sektor i vendosur në fokus ishte industria e përpunimit të drurit. Palët diskutuan mundësitë për shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencës, përdorimin e inovacionit në proceset e prodhimit dhe zhvillimin e produkteve me vlerë më të lartë të shtuar, si dhe potencialin që paraqet tregu shqiptar për këtë industri.
Forumi “Slovenia–Albania: An Economic Bridge”, i organizuar nga SPIRIT Slovenia dhe Instituti për Zgjidhje Strategjike (ISR), synoi të krijojë kontakte të reja mes komuniteteve të biznesit dhe të identifikojë fusha konkrete ku kompanitë e dy vendeve mund të zhvillojnë partneritete.
Prania shqiptare në MOS Fair 2026, që zhvillohet në Celje nga 16 deri më 20 shtator, përfshin edhe Pavijonin Kombëtar Shqiptar, si një hapësirë për promovimin e potencialit ekonomik, produkteve dhe mundësive për investime në Shqipëri.




