Policia e Gjirokastrës ka goditur një grup kriminal, i cili kishte ngritur një skemë mashtrimi me TVSH. Pjesë e grupit kriminal rezultuan tre shtetas shqiptarë dhe tre shtetas italianë.
Sipas policisë, të 6 këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal, duke krijuar tre kompani të rreme me qëllim përfitimin nga TVSH-ja. Në kuadër të këtij procedimi penal, në zbatim të vendimeve të Gjykatës u bë sekuestrimi i tre llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milion lekë të rinj.
“Referuar të dhënave operative të strukturave hetimore në DVP Gjirokastër, në vijim të materialit procedural të referuar nga kjo drejtori policie dhe regjistrimit të procedimit penal proaktiv, pas hetimeve të kryesuara nga Prokuroria dhe Policia Gjyqësore e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka urdhëruar kontrollin e vendeve dhe sekuestrim të provave sikurse janë numra llogarie etj, të subjekteve të cilëve u atribuohen veprat penale”, njofton Policia e Gjirokastrës.
“Strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, me mbështetjen e Drejtorisë Kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle në Tiranë, në tre subjekte. Nga kontrollet e ushtruara u gjetën, fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të rëndësishme për hetimet. U sekuestruan gjithashtu 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale nga këto subjekte. U këqyrën dhe u sekuestruan gjithashtu dokumente që kishin lidhje me subjektet në hetim, si dhe u kryen veprimet e nevojshme procedural”, vijo njoftimi i Policisë.
:Nën hetim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” shtetasit: I. Q., E. B. dhe Z. K., shtetas shqiptarë; A. D., S. C. dhe S. C., shtetas italianë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.”, njofton Policia.
