Gjatë vitit 2025, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetin në luftën kundër evazionit fiskal dhe veprave të tjera.
Sipas raportit vjetor, numri i rasteve të referuara në Prokurori është rritur me 67% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i tatimpaguesve të referuar ka shënuar një rritje edhe më të lartë, me 102%. Më e theksuar paraqitet rritja e vlerës së detyrimeve të papaguara të evidentuara nga këto hetime, e cila është rritur me 1090%, duke sinjalizuar një fokus më të fortë në identifikimin e skemave të mëdha të evazionit dhe një rritje të efektivitetit të kontrollit fiskal.
Megjithatë, raporti evidenton edhe një sërë problematikash që vijojnë të kufizojnë efektivitetin e hetimeve. Një prej tyre ka qenë ngadalësia e procedurave të vlerësimit tatimor, për shkak të mbivendosjes së kompetencave me drejtoritë rajonale. Kjo çështje është adresuar përmes ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore”, ku nga janari 2026 Drejtoria e Hetimit Tatimor do të kryejë vetë vlerësimet brenda strukturës së saj, një ndryshim që pritet të përmirësojë ndjeshëm shpejtësinë dhe eficiencën e proceseve.
Një tjetër sfidë lidhet me aksesin në të dhënat financiare, veçanërisht nga bankat e nivelit të dytë, të cilat shpesh nuk i ofrojnë informacionet në formate të analizueshme. Po ashtu, problem mbetet edhe mungesa e aksesit në kohë reale dhe në mënyrë të pandryshuar në të dhënat elektronike të tatimpaguesve, sidomos në rastet kur këto ruhen në servera jashtë vendit apo menaxhohen nga kompani të softuerëve të fiskalizuar.
Raporti nënvizon gjithashtu mungesën e burimeve të specializuara në fushën e teknologjisë së informacionit dhe pajisjeve analitike, një pengesë serioze në një kohë kur aktivitetet ekonomike po digjitalizohen me ritme të shpejta. Kjo bëhet edhe më e ndërlikuar nga rritja e përdorimit të kriptovalutave, të cilat për Drejtorinë e Hetimit Tatimor mbeten një territor ende i paeksploruar, për shkak të mungesës së instrumenteve teknike dhe ekspertizës së nevojshme, pavarësisht përpjekjeve për trajnim të stafit.
Ndërkohë, transformimi i tregtisë dhe shërbimeve drejt formave digjitale ka krijuar sfida të reja për administratën, pasi transaksionet shpesh zhvillohen jashtë sistemeve tradicionale të kontrollit, ndërsa një pjesë e ekonomisë vijon të operojë në cash përmes ndërmjetësve si shërbimet postare. Në këtë kontekst, Drejtoria e Hetimit Tatimor thekson nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me institucione si AKEP dhe për përditësimin e kuadrit rregullator për operatorët digjitalë.
Në përfundim, raporti vlerëson se, megjithë rezultatet e dukshme në rritjen e referimeve dhe zbulimin e evazionit, sfidat teknologjike, financiare dhe njerëzore mbeten thelbësore për vitin 2026. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe përshtatja me realitetin e ri digjital konsiderohen kyçe për mbrojtjen efektive të interesave fiskale të shtetit. /ekofin.al

