Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Rural, në Skemën Kombëtare 2024 kanë aplikuar për mbështetje me subvencione 816 fermerë për masën inpute në serra.
Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2024 ofron pagesa direkte për fermerët për fara/fidanë dhe inpute bujqësore, me qëllim uljen e kostove të prodhimit.
Masa 4 është mbështetje për fara/fidanë dhe inpute të tjera me vlerë deri në 200 000 lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone për kultivimin e perimeve, rrushit në tavolinë për serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individualë dhe grup fermerësh me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 1 500 000 lekë për aplikant.
Në Skemën Kombëtare 2024, aplikimet më të mëdha janë përqendruar në masat 1-7, që janë rreth 15 mijë aplikantë, pastaj nafta që zë pjesën më të madhe prej 54.500 aplikime. Në grup, si risi për këtë vit, numri ka shkuar në 321 aplikime, ku pjesën më të madhe e zënë grup fermerët për serat, ku limiti për të përfituar mbështetje ishte 1 hektar. Për naftën ka 8 grupime për mbi 10 hektarë, të cilët do të marrin 100% mbështetje dhe jo në masën 80%.
Fondi fillestar në dispozicion është 32 milionë euro dhe për herë të parë, paratë për skemën e naftës do të kalojnë direkt në llogaritë e fermerëve. Aplikimet u hapën më datë 27 mars dhe u mbyllën më 19 prill.
