Në një deklaratë të publikuar të enjten në mbrëmje, Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta njohë Palestinën si shtet, një hap që do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtatorin e ardhshëm.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca do ta njohë Palestinën si shtet, mes zemërimit në rritje global për shkak të urisë së njerëzve në Rripin e Gazës si rezultat i kufizimeve të ndihmave të vendosura nga Izraeli.
Në një deklaratë të postuar në X, Macron tha se vendimi do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
” Duke pasur parasysh angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron. “Paqja është e mundur.”
“Urgjenca sot është që lufta në Gaza të ndalet dhe popullsia civile të shpëtohet”, thuhej në deklaratën e Macron, e cila gjithashtu përfshinte një letër të dërguar presidentit palestinez Mahmoud Abbas lidhur me vendimin.
Njoftimi e bën Francën vendin më të madh dhe më të fuqishëm evropian që njeh Palestinën. Aktualisht, 140 vende e njohin shtetin palestinez dhe më shumë se një duzinë prej tyre janë evropiane.
Presidenti francez në qershor shprehu një “vendosmëri për të njohur shtetin e Palestinës” dhe mbrojti një lëvizje më të gjerë drejt një zgjidhjeje me dy shtete, ndërsa theksoi gjithashtu njohjen e Izraelit dhe të drejtën e tij për të mbrojtur veten.
Njoftimi gjithashtu erdhi pak kohë pasi SHBA u largua nga bisedimet për armëpushim për Gazën që po mbaheshin në Katar, duke pohuar se Hamasi i mungonte “mirëbesimi”.
Franca ka popullsinë më të madhe hebreje në Evropë, si dhe popullsinë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore.
Ministria e Jashtme izraelite nuk komentoi menjëherë për njoftimin e Macron./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
