Detyrimi për lidhjen telematike mes POS-eve dhe kasave fiskale në Itali po fillon të japë efektet e para konkrete në luftën kundër evazionit fiskal. Në pesë muajt e parë të zbatimit të sistemit janë lëshuar rreth 115 milionë kuponë elektronikë më shumë, ndërsa baza e tatueshme është rritur me 5.3 miliardë euro.
Të dhënat u publikuan nga drejtori i Agjencisë Italiane të të Ardhurave, Vincenzo Carbone, gjatë një aktiviteti në Parlament për 50-vjetorin e kompanisë publike të teknologjisë Sogei dhe konsiderohen si treguesit e parë të ndikimit që ka infrastruktura e re digjitale në marrëdhëniet mes administratës tatimore dhe bizneseve.
Sipas Carbone, hyrja në fuqi e detyrimit për lidhjen elektronike mes sistemeve të pagesave me kartë dhe regjistrave fiskalë ka rritur ndjeshëm fluksin e të dhënave që transmetohen te administrata financiare. Efekti i menjëhershëm ka qenë zgjerimi i bazës së deklaruar të të ardhurave nga bizneset, duke treguar se sistemi po rrit gjurmueshmërinë e transaksioneve dhe po redukton ekonominë informale.
Drejtori i Agjencisë së të Ardhurave theksoi se rezultatet tregojnë se inovacionet ligjore mund të japin efekte të shpejta kur shoqërohen me kapacitete teknologjike dhe menaxhim efikas operacional.
Për administratën tatimore italiane, rritja e numrit të kuponëve elektronikë nuk është vetëm një rezultat teknik, por edhe një mënyrë për të forcuar marrëdhënien mes shtetit dhe tatimpaguesve. Sipas Carbone, deklarimi i më shumë të ardhurave ndihmon në krijimin e një sistemi fiskal më të drejtë, duke mbrojtur bizneset që respektojnë rregullat dhe duke zgjeruar numrin e transaksioneve të regjistruara korrektësisht.
Ai kujtoi gjithashtu se ky rezultat është fryt i procesit të digjitalizimit të nisur vite më parë me futjen e kuponëve elektronikë, të cilët zëvendësuan faturat dhe kuponët tradicionalë fiskalë.
Digjitalizimi pritet të ndryshojë edhe mënyrën e kontrolleve tatimore. Nënsekretarja e Ministrisë Italiane të Ekonomisë, Sandra Savino, deklaroi se teknologjia mund t’i bëjë kontrollet më selektive dhe më efikase, duke reduktuar nevojën për inspektime të përgjithshme dhe ndërhyrje të shpeshta ndaj aktiviteteve ekonomike.
Integrimi mes POS-eve dhe kasave fiskale është pjesë e strategjisë më të gjerë të digjitalizimit të sistemit fiskal italian. Përdorimi i të dhënave elektronike i lejon administratës tatimore të monitorojë më saktë flukset ekonomike dhe të identifikojë anomalitë e mundshme. Rritja e numrit të kuponëve të regjistruar në muajt e parë të zbatimit sugjeron se sistemi i ri po krijon efekt frenues ndaj fshehjes së të ardhurave dhe po rrit transparencën në transaksionet tregtare./Përshtati nga Economy Magazine, ekofin.al
