Të gjithë personat që paguajnë sigurimin vullnetar në muajin janar duke mbuluar periudha kontributive për vitin 2025 do të kenë një zbritje prej 6 për qind në vit.
Specialisti i përfitimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Riza Ashimi, u shpreh se, ky muaj është një periudhë e mirë për të përfituar nga kjo hapësirë, edhe për të siguruar periudha kontributive, por edhe për të përfituar nga ulja prej 6 përqind në pagesë. “Do të vijojë që sigurimi vullnetar të jetë në masë 21.6 përqind të pagës minimale prej 40 mijë lekë. I vetmi ndryshim për këtë vit është se të gjithë personat që paguajnë kontribut të sigurimit vullnetar brenda muajit janar dhe mbulojnë periudha kontributive për të gjithë vitin 2025 do të kenë një zbritje prej 6 përqind në vit.
Ndërsa për çdo pagesë kontributi që do të paguajnë çdo muaj do të kenë zbritje ose 0.5 përqind për çdo muaj”, – tha Ashimi. Skema e sigurimit vullnetar është një mundësi më shumë për të përfituar pension, për të gjithë shtetasit shqiptarë, si jashtë dhe brenda vendit. Zakonisht aplikohet kur ka periudha të pambuluara ose për të rritur masën e përfitimit.
PERFITIMI NGA SKEMA
Sigurimi vullnetar mbulon tri fusha, atë për vitin aktual, për periudhën e kaluar si dhe sigurimin për më shumë të ardhura. Personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të sigurohen deri në kufirin e pagës maksimale. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa. Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 8,640 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 40,000 lekë x 21.6%.
Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, legjislacioni i ISSH-së parashikon zbritje nga 1.5 deri në 6 për qind, varësisht nga periudha kur bëhet pagesa dhe periudha që mbulohet me sigurim vullnetar. Kështu, për pagesa vjetore të kryera në muajin janar, qytetarët përfitojnë 6 për qind zbritje; për gjashtë muaj sigurim vullnetar 3 për qind zbritje mbi shumën totale, ndrësa për një periudhë 3- mujore përfitohet jo më shumë se 1.5 për qind zbritje.
Qytetarët të cilët duan të përfitojnë nga kjo lehtësi duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Sigurimeve në qytetin përkatës me tri dokumente me vete: fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit; fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon si dhe fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike.
PERFITIMET PER SIGURIMIN VULLNETAR
6% zbritje mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar).
3% zbritje mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
1,5% zbritje mbi shumën për një pagesë 3-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
PERFSHIHEN NE SKEMN E PENSIONEVEVULLNETARE PERSONAT:
-Kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
-Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
-Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi./Gazeta Panorama