Rreth 28 milionë euro është buxheti i parashikuar për sigurinë kibernetike të autoriteteve publike dhe private në vitin 2024, dëmtimi i sistemeve të informacionit të të cilave do të rrezikonte ofrimin e shërbimeve dhe vazhdimësinë e punës, ose do të kishte pasoja serioze mbi shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Këtë vit numërohen 5 milionë euro më shumë se buxheti prej 23 milionë eurosh i vitit të kaluar.
Në raportin vjetor të Autoritetit Kombëtar për Certifkimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, rezulton se buxheti, si dhe planifikimi për projektet e fushës së sigurisë kibernetike ka një rritje të ndjeshme ndër vite, duke vënë në dukje ndërgjegjësimin e autoriteteve për investime konkrete në fushën e sigurisë kibernetike.
Përgjatë vitit 2023 është katërfishuar numri i kontrolleve me vajtje në vend, në autoritetet publike dhe private me infrastrukturë kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Konkretisht, 49 është totali i operatorëve të infrastrukturave që janë kontrolluar gjatë vitit të kaluar.
Lidhur me dobësitë e sigurisë kibernetike, në 2023-in është kryer vlerësimi i riskut të sigurisë kibernetike në 11 institucione të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
