Qeveria ka miratuar në mbledhjen e datës 22 janar standardet për zonat dhe parcelat e tokës, në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.
Standardet për kultimin e cannabis-it për qëllime mjekësore përfshijnë që zonat e kultivimit nuk duhet të jenë brenda kufirit të zonave të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të pyjeve, kullotave dhe livadheve, zonave ushtarake dhe atyre që janë të të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
Largësia e këtyre parceleva duhet të jetë të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë, si dhe nga zonat ushtarake.
Gjithashtu përqendrimi i metaleve të rënda aty ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara me vendim, si dhe toka duhet të jetë sipas praktikave më të mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).
Të njëjta standarde do të zbatohet edhe për cannabis-in për qëllime industriale, por në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
Vendimi parashikon se si në rastet e kultivimit të cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë. Këto parashikime nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /ekofin.al
