Qeveria është duke miratuar aktet e nevojshme nënligjore për të bërë të zbatueshëm ligjin e shumëdiskutuar “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme procedurën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit. Tarifat e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit. Ndërsa të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia.
Më herët, u zbardh edhe udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Brendshme që përcakton kriteret për pastërtinë e figurës dhe kritereve profesionale që duhet të plotësojnë, si aksionarët dhe administratorët e operatorëve që do të aplikojnë për licencim dhe ata që do të punësohen nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it.
Për vlerësimin e figurës së pastërtisë Agjencia do të bashkëpunojë me disa institucione, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, Gjykatat, Prokuroritë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore që do të kryejë testimet për përdorim lëndësh narkotike.
Të punësuarit në agjenci duhet të mos jenë përdorues të drogave, përfshirë kanabisin, të vërtetuar nga analizat e kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Të mos ketë në përbërje të certifikatës familjare anëtarë të dënuar me dënim të formës së prerë nga Gjykata në 5 vitet e fundit, si dhe të mos konstatuar si përdorues të lëndëve narkotike nga Policia e Shtetit.
Punësimi i tyre do të kryhet nëpërmjet aplikimeve. Aplikimi do të qëndrojë i publikuar për një periudhë 4 javore në faqen zyrtare të Agjencisë (deri tani në faqen zyrtare të Agjencisë janë publikuar 45 njoftime për vende pune).
Të njëjtat kritere që nga mospërdorimi i drogave, e vërtetuar me analiza të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore apo edhe anëtare të familjes së padënuar më parë duhet të plotësojnë për pastërtinë e figurës edhe aksionarët dhe administratorët e kompanive që do të aplikojnë për licencimin e mbjelljes dhe përpunimit të kanabisit.
Për pronarët dhe administratorët që janë shtetas të huaj me rezidencë jashtë vendit, të cilët për arsye objektive e kanë të pamundur kryerjen e testit të drogës, sipas udhëzimit testimi duhet të kryhet në shtetin rezident në një institucion homolog me Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Për verifikimin e pastërtisë së figurës prej tyre duhet të zotërohen përveç rezultateve të testimit të drogës edhe formularët e dekriminalizimit.
Po ashtu çdo punonjës i kompanisë që aplikon për marrjen e licencës, pronari dhe administratori, duhet të plotësojnë kriterin e veçantë etik, të mos kenë angazhime të tjera që i vendosin në kushtet e konfliktit të interesit. Si dhe të deklarojnë çdo veprimtari tjetër apo aksione nëse zotërojnë.
Përveç kritereve të pastërtisë së figurës punonjësit e kompanive të subjekteve të licencuara apo të lejuara do të duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh profesionale. /ekofin.al
