Shqipëria regjistron nivelin më të ulët të besimit ndërpersonal në Ballkanin Perëndimor, sipas Balkan Barometer 2025. Në një shkallë nga 1 në 10, ku niveli më i ulët nënkupton se duhet treguar shumë kujdes në marrëdhëniet me njerëzit dhe niveli më i lartë se shumicës së njerëzve mund t’u besohet, Shqipëria merr një mesatare prej vetëm 3.7 pikësh, kundrejt 4.6 pikësh për rajonin.
Diferenca me vendet e tjera është e dukshme. Kosova ka rezultatin më të lartë, me 5.2 pikë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi regjistrojnë nga 5.1 pikë. Serbia arrin në 4.8 pikë dhe Maqedonia e Veriut në 4.0. Shqipëria është kështu jo vetëm nën mesataren e WB6, por edhe 0.3 pikë poshtë vendit të dytë me rezultatin më të ulët, Maqedonisë së Veriut.
Shpërndarja e përgjigjeve e bën edhe më të qartë nivelin e ulët të besimit. 33% e shqiptarëve zgjedhin nivelin minimal të shkallës, duke shprehur qëndrimin se duhet treguar shumë kujdes kur ke të bësh me njerëzit. Kjo është përqindja më e lartë në rajon për këtë përgjigje; në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë është 13%, në Mal të Zi 11%, në Maqedoninë e Veriut 22% dhe në Serbi 17%.
Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit vëren se besimi i përgjithshëm mes njerëzve mbetet i kufizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor: vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve mendojnë se shumicës së njerëzve mund t’u besohet, ndërsa pjesa më e madhe shfaq kujdes në marrëdhëniet me të tjerët. Por të dhënat e Shqipërisë tregojnë se ky skepticizëm është më i theksuar se në pjesën tjetër të rajonit.
Raporti thekson se ky tregues nuk mat besimin te qeveria, policia, gjykatat apo institucionet e tjera, por besimin e përgjithshëm mes qytetarëve./ekofin.al

