Migracioni i paligjshëm në Bashkimin Europian ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, por shqiptarët vijojnë të renditen ndër shtetasit më të prekur nga masat e refuzimit të hyrjes dhe kthimit nga vendet e BE-së. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me numër të lartë qytetarësh të refuzuar në kufijtë europianë apo të kthyer pas urdhrave për largim.
Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë refuzuar në kufijtë e jashtëm të BE-së rreth 12,430 shtetas shqiptarë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë pas Ukrainës për numrin e refuzimeve të hyrjes. Shqiptarët rezultojnë përpara shtetasve të Moldavisë, Turqisë apo Serbisë, ndërsa pjesa më e madhe e refuzimeve për ta janë regjistruar në kufijtë ajrorë të vendeve të BE-së.
Ndërkohë sa i përket dëbimeve nga ajri, shqiptarët janë në vend të parë, ku 5780 qytetarë shqiptarë janë dëbuar nga aeroportet.
Në total, vendet e Bashkimit Europian refuzuan hyrjen për 132,600 shtetas të vendeve të treta gjatë vitit 2025, me një rritje prej 7.1% krahasuar me një vit më parë. Arsyeja kryesore e refuzimeve ishte “mosjustifikimi i qëllimit dhe kushteve të qëndrimit”, që përbënte mbi 30% të rasteve, e ndjekur nga tejkalimi i afatit të lejuar 90-ditor në zonën Schengen dhe mungesa e vizës apo lejes së vlefshme të qëndrimit.
Edhe në statistikat për kthimet nga BE, Shqipëria mbetet ndër vendet kryesore të origjinës. Gjatë vitit 2025, rreth 8,020 shtetas shqiptarë u kthyen në Shqipëri nga vendet e Bashkimit Europian pas urdhrave për largim. Shqipëria renditet e katërta për numrin e shtetasve të kthyer, pas Turqisë, Gjeorgjisë dhe Sirisë.
Të dhënat tregojnë se në total BE-ja realizoi 135,460 kthime drejt vendeve të treta gjatë vitit 2025, një rritje prej 20.9% krahasuar me vitin 2024 dhe niveli më i lartë që prej periudhës pas pandemisë. Rreth 59.4% e kthimeve u realizuan në mënyrë vullnetare, ndërsa pjesa tjetër përmes kthimeve të detyruara.
Nga ana tjetër, numri i shtetasve të vendeve të treta të konstatuar si të pranishëm në mënyrë të paligjshme në territorin e BE-së ra me 21.7% gjatë vitit 2025, duke zbritur në 719,395 persona. Në këtë kategori, shqiptarët nuk figurojnë më ndër grupet kryesore, ndryshe nga vitet e mëparshme, ku emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria kishte pësuar rritje sidomos drejt Francës dhe Britanisë së Madhe.
Statistikat e Eurostat tregojnë gjithashtu se Franca, Gjermania dhe Spanja mbeten vendet që lëshojnë më shumë urdhra largimi për shtetasit e huaj, ndërsa Polonia regjistron numrin më të lartë të refuzimeve të hyrjes në kufijtë tokësorë të BE-së. /ekofin.al
