Numri i mjeteve elektrike në Shqipëri ka shënuar një rritje të fortë gjatë vitit 2025, duke konfirmuar një prirje të qartë drejt transportit të gjelbër. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë vitit që sapo u mbyll janë regjistruar 6.187 mjete “All-Electric”, ose gati dyfish më shumë krahasuar me vitin 2024.
Konkretisht, regjistrimet e mjeteve plotësisht elektrike rezultojnë 98% më të larta se një vit më parë, një tregues që sinjalizon jo vetëm rritjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve për automjete miqësore me mjedisin, por edhe një ndryshim gradual në strukturën e flotës së automjeteve në vend. Ky ritëm rritjeje e bën vitin 2025 një nga vitet më domethënëse për zhvillimin e mobilitetit elektrik në Shqipëri.
“Vit pas viti, flota e mjeteve në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë GREEN!”, thuhet në njoftimin për mediet të DPShTRr, ku theksohet se zgjerimi i numrit të mjeteve elektrike është një hap konkret drejt reduktimit të ndotjes dhe rritjes së qëndrueshmërisë së transportit rrugor. Sipas institucionit, vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6.187 mjete ‘All-Electric’, duke reflektuar një kthesë të rëndësishme në zgjedhjet e konsumatorëve shqiptarë.
Rritja e flotës elektrike lidhet edhe me faktorë të tjerë mbështetës, si kostot më të ulëta të përdorimit krahasuar me mjetet tradicionale me karburant, ndërgjegjësimi më i lartë për çështjet mjedisore, si dhe interesimi në rritje për teknologjitë e reja të transportit. Në të njëjtën kohë, kjo prirje vendos theksin edhe mbi nevojën për zgjerimin e infrastrukturës së karikimit dhe për politika publike që nxisin më tej përdorimin e mjeteve elektrike.
“Më shumë mjete ‘green’ në rrugët tona, për një transport më të pastër, më të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin!”, përfundon njoftimi i DPShTRr, duke e cilësuar rritjen e vitit 2025 si një sinjal pozitiv për të ardhmen e transportit në Shqipëri dhe për përmbushjen graduale të objektivave mjedisore të vendit.
