Trembëdhjetë grupe ndërkombëtare të hotelerisë, që përfaqësojnë 61 marka, po eksplorojnë mundësitë e investimit dhe bashkëpunimit me projekte shqiptare në sektorin e turizmit.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro, deklaroi në “Future Hospitality Forum 2026”, të organizuar në Tiranë nga AIDA, se vetëm 3 prej këtyre markave janë aktualisht të pranishme në Shqipëri, ndërsa 58 të tjera përbëjnë potencial për hyrje në tregun shqiptar.
Përballë operatorëve ndërkombëtarë janë vendosur rreth 100 projekte investimi shqiptare, të përzgjedhura për t’u prezantuar gjatë forumit. Sipas Saros, numri i projekteve dhe interesi për bashkëpunim është në fakt edhe më i madh.
“Është mjaft e vështirë të zgjedhësh vetëm 100. Oreksi është shumë më i madh nga sa mund të mbajë kjo sallë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme e përqendruar në një vend të vetëm. Le ta përdorim mirë”, tha Saro.
Në forum marrin pjesë përfaqësues nga Accor Luxury dhe Accor Premium, Midscale & Economy, Minor Hotels, Falkensteiner Hotels & Residences, Wyndham Hotels & Resorts, Majestic Hospitality, Sunset Hospitality Group, Banyan Tree Hotels, CDS Hotels, Iberostar, Club Esse, Bahia Principe Hotels & Resorts dhe Elite World Hotels & Resorts.
Sipas drejtueses së AIDA-s, prania e këtyre operatorëve tregon edhe ndryshimin që ka pësuar perceptimi i Shqipërisë si treg për investimet në hoteleri dhe turizëm. Nëse disa vite më parë puna e AIDA-s niste me prezantimin e vendit tek operatorët e huaj, tashmë diskutimet po orientohen drejt projekteve konkrete.
“Disa vite më parë në AIDA, kur kontaktonim grupe ndërkombëtare të hotelerisë, shpesh kalonim pjesën e parë të takimit duke prezantuar Shqipërinë. Sot, shumë prej jush vijnë me pyetje për vende, projekte dhe partnerë”, tha Saro.
“Këto pyetje më tregojnë se kemi kaluar nga ‘Pse Shqipëria?’ te ‘Ku të fillojmë?’”, shtoi ajo.
Sipas Saros, sfida tashmë është gjetja e pikave të përbashkëta mes investitorëve shqiptarë që kanë projekte në zhvillim dhe grupeve ndërkombëtare që mund të sjellin markat, eksperiencën dhe standardet e tyre në tregun vendas.
Drejtuesja e AIDA-s theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i turizmit nuk duhet të mbështetet vetëm te rritja e numrit të vizitorëve, por edhe te cilësia e ofertës, standardet dhe krijimi i një identiteti që i bën turistët të rikthehen.
Sipas saj, një imazh tërheqës mund të nxisë vizitën e parë në Shqipëri, por eksperienca e turistit ndërtohet nga mikpritja, shërbimi, ushqimi, dizajni dhe elementet që e lidhin strukturën hoteliere me destinacionin.
Në këtë drejtim, markat ndërkombëtare mund t’u japin vizitorëve sigurinë e standardeve që njohin, ndërsa oferta shqiptare duhet të ruajë identitetin dhe autenticitetin e saj.
Saro u ndal edhe te potenciali që investimet e mëdha hoteliere kanë për ekonominë lokale. Sipas saj, një investim nuk kufizohet vetëm te ndërtimi apo funksionimi i një hoteli, por mund të rrisë standardet e gjithë destinacionit, të krijojë vende pune dhe karriera afatgjata, të përfshijë furnizuesit vendas dhe të ndihmojë në zgjatjen e sezonit turistik.
Megjithëse Shqipëria është një ekonomi e vogël krahasuar me tregjet nga vijnë shumë prej operatorëve të pranishëm, Saro e cilësoi fleksibilitetin dhe ritmin e zhvillimit si avantazhe për investitorët.
AIDA synon të shërbejë si pikë lidhëse ndërmjet grupeve ndërkombëtare, investitorëve shqiptarë dhe institucioneve publike, duke ndihmuar në identifikimin e projekteve dhe partnerëve, si edhe në adresimin e çështjeve që lidhen me vendndodhjen, procedurat, standardet dhe afatet e investimeve.
Në përfundim, Saro u bëri thirrje operatorëve të huaj që takimet e forumit t’i kthejnë në kontakte dhe projekte konkrete, ndërsa investitorëve shqiptarë që të shfrytëzojnë praninë e grupeve ndërkombëtare për të forcuar projektet e tyre. /ekofin.al
