Sektori i turizmit në Shqipëri pritet të njohë një transformim të thellë dhe rritje të qëndrueshme gjatë periudhës afatmesme 2027-2029.
Objektivi kryesor, sipas relacionit të projektbuxhetit, është kalimi nga një turizëm sezonal në një ofertë turistike gjithëvjetore, duke rritur ndjeshëm peshën e këtij sektori në ekonominë kombëtare në tre vitet e ardhshme. Sipas parashikimeve, kontributi i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PPB) llogaritet të stabilizohet rreth nivelit të lartë prej 33%, nga 26.4% që ishte në 2025.
Përkrah rritjes ekonomike, vëmendje e veçantë i është kushtuar tregut të punës dhe zhvillimit rajonal. Sipas këtij dokumenti, niveli i punësimit në sektorin turistik pritet të ngjitet nga 8.6% që parashikohet të jetë në vitin 2026, në 8.7% në 2027, për të arritur në 8.8% përgjatë viteve 2028-2029.
Po ashtu, numri i strukturave akomoduese do të rritet, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, nga 2,100 njësi në vitin 2027 në 2,150 njësi deri në vitin 2029.
Një nga impaktet më të dukshme do të jetë zgjerimi i agriturizmit, me numrin e bizneseve të licencuara që pritet të kërcejë nga 400 në vitin 2027 në 650 në vitin 2029.
Sa u përket flukseve ndërkombëtare, vendi ynë synon të thithë shifra rekord vizitorësh. Numri i shtetasve të huaj që do të hyjnë në Shqipëri parashikohet të rritet në 15.5 milionë në vitin 2027, në 16 milionë vizitorë në vitin 2029./Tv Klan
