Shqipëria regjistroi një shpenzim mesatar vjetor prej 247 dollarësh për person për energjinë e përdorur në banesë gjatë vitit 2025, duke u renditur e 46-a mes 50 vendeve të paraqitura në analizën e bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Shifra përfshin shpenzimet familjare për energjinë elektrike, gazin, ngrohjen dhe lëndët e tjera djegëse që përdoren në shtëpi, por nuk përfshin karburantet dhe kostot e transportit.
Mes vendeve të rajonit të përfshira në renditje, Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve për frymë. Kosova regjistron 294 dollarë, Mali i Zi 424 dollarë, Maqedonia e Veriut 451 dollarë, Serbia 587 dollarë dhe Kroacia 637 dollarë për person.
Krahasuar me Kosovën, shpenzimi në Shqipëri është 47 dollarë më i ulët për frymë. Diferenca zgjerohet në 177 dollarë ndaj Malit të Zi, 204 dollarë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe 340 dollarë ndaj Serbisë.
Evropa dominon vendet me shpenzimet më të larta
Të dhënat tregojnë se vendet evropiane zënë 24 nga 30 pozicionet e para, duke treguar nivelin relativisht të lartë të kostove të energjisë për familjet në kontinent.
Suedia kryeson renditjen me 1,926 dollarë për person në vit, gati 7.8 herë më shumë se Shqipëria. Pas saj renditen Finlanda me 1,786 dollarë dhe Austria me 1,709 dollarë.
Në grupin e vendeve me shpenzime të larta gjenden gjithashtu Danimarka me 1,583 dollarë, Gjermania me 1,450 dollarë dhe Zvicra me 1,388 dollarë për person. Franca regjistron 1,195 dollarë, Italia 1,139 dollarë dhe Holanda 1,137 dollarë.
Diferencat brenda Europës lidhen me klimën, madhësinë dhe eficiencën energjetike të banesave, burimet e përdorura për ngrohje, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit, si dhe masat mbështetëse të qeverive.
SHBA renditet e 16-a, ekonomitë në zhvillim shpenzojnë më pak
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 16-të, me një shpenzim vjetor prej 1,042 dollarësh për person. Niveli është dukshëm më i ulët se në Suedi, por mbetet shumë më i lartë se në pjesën më të madhe të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.
Kanadaja, pavarësisht klimës së ftohtë, renditet e 22-a me 748 dollarë për person. Jashtë Evropës, ndër vendet që shfaqen relativisht lart janë edhe Japonia, Zelanda e Re, Kili dhe Uruguai.
Shpenzimet bien ndjeshëm në ekonomitë në zhvillim. Kina regjistron 173 dollarë për person, ndërsa India 52 dollarë dhe Pakistani 54 dollarë. Në fund të renditjes së plotë, Bolivia shpenzon vetëm 25 dollarë për frymë, Algjeria 29 dollarë dhe Egjipti 35 dollarë.
Megjithatë, shpenzimet e ulëta nuk duhet të interpretohen automatikisht si tregues eficience. Ato mund të pasqyrojnë të ardhura të kufizuara, akses më të ulët në shërbimet moderne energjetike, përdorim më të pakët të ngrohjes dhe kondicionimit ose mbështetje të fortë përmes subvencioneve, thekson artikulli./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

