4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kemi hyrë në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinim, së bashku me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.
“Kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë bashkë me gjithë institucionet pukblike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, shkruan ministrja e Turizmit dhe Mjeidsit, Mirela Kumbaro në rrjetet sociale.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit mbështet 7 bashki bregdetare me operatorë shtesë pastrimi për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë muajve të pikut të sezonit, operacion që ka nisur që prej 15 qershorit, ndërkohë që 34 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë në shërbim të pushuesve.
