Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) përmbylli Forumin e Biznesit Japoni–Shqipëri, i zhvilluar në ambientet e Japan Bank for International Cooperation (JBIC) në Tokio, duke shënuar një tjetër hap konkret në përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me tregjet aziatike.
Forumi u organizua nga Japan Institute for Overseas Investment (JOI), në bashkëpunim me AIDA-n, dhe mblodhi përfaqësues të lartë institucionalë dhe drejtues biznesesh nga të dy vendet, në një platformë që synoi prezantimin e klimës së investimeve në Shqipëri dhe identifikimin e sektorëve me potencial bashkëpunimi.
Delegacioni shqiptar përfshinte Zv/Ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, Zv/Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo, Drejtoreshën Ekzekutive të AIDA-s, Laura Saro, CEO-n e Autoriteti Portual Durrës, si dhe përfaqësues të TEDA Tirana, duke reflektuar fokusin tek infrastruktura, energjia, zonat industriale dhe projektet strategjike logjistike.
Në fjalën e hapjes, Presidenti i JOI, Kenichiro Hayashi, theksoi rëndësinë e forcimit të urave ekonomike mes Japonisë dhe Shqipërisë, si dhe potencialin për shkëmbim përvojash në sektorë kyç si teknologjia, prodhimi dhe energjia. Ai vuri në dukje interesin në rritje të kompanive japoneze për tregjet e Evropës Juglindore.
Ambasadori i Shqipërisë në Japoni, Ermal Muça, ftoi bizneset japoneze ta konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion të sigurt dhe konkurrues investimi, duke nënvizuar stabilitetin makroekonomik, reformat strukturore dhe progresin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky moment përfaqëson një dritare të favorshme për hyrjen e kapitalit japonez në një treg me kosto konkurruese dhe akses strategjik në rajon.
Nga pala japoneze, Drejtori i Departamentit të Dytë të Evropës në Ministrinë e Jashtme të Japonisë, Shu Tamaura, vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe interesin e shtuar të kompanive japoneze për rajonin, duke theksuar se Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë si një partner potencial në zinxhirët e furnizimit dhe projektet infrastrukturore.
Në prezantimin e saj, Laura Saro theksoi avantazhet konkurruese të Shqipërisë, duke përfshirë pozicionin gjeografik, regjimin fiskal, kapitalin njerëzor dhe sektorët prioritarë si energjia e rinovueshme, turizmi, agropërpunimi, ICT dhe industria prodhuese. Ajo prezantoi gjithashtu instrumentet mbështetëse për investitorët, përfshirë asistencën e dedikuar “one-stop-shop” dhe mundësitë që ofrojnë zonat ekonomike.
Zv/Ministri Erlind Sulo dhe përfaqësuesi i Autoritetit Portual Durrës paraqitën zhvillimet në infrastrukturë dhe energji, me fokus në projektet portuale, ndërlidhjen energjetike dhe investimet në kapacitete të reja prodhimi, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje strategjike në korridoret rajonale të transportit dhe energjisë.
Forumi vijoi me takime B2B mes kompanive japoneze dhe përfaqësuesve shqiptarë, ku u diskutuan mundësi konkrete bashkëpunimi në projekte investimi, partneritete teknologjike dhe zgjerim të pranisë në tregun shqiptar.
Organizimi i këtij forumi në Tokio vjen në një moment kur Shqipëria po intensifikon përpjekjet për diversifikimin e burimeve të investimeve të huaja, duke synuar të tërheqë kapital nga ekonomi me profil të avancuar teknologjik si Japonia. Në këtë kontekst, forumi shërben si një platformë e drejtpërdrejtë dialogu, me synimin për ta kthyer interesin institucional në projekte konkrete në terren.






