Çmimet e pijeve alkoolike në Evropë tregojnë një panoramë të larmishme, por brenda saj Shqipëria shfaqet dukshëm si një nga vendet më të shtrenjta, si në rajon, ashtu edhe në nivel kontinental. Të dhënat e Eurostat-it për vitin 2024, të standardizuara me mesataren e BE-së të barazuar me 100, e pozicionojnë Shqipërinë në nivelin 153, praktikisht identike me Greqinë (154) dhe shumë më lart se pjesa tjetër e Ballkanit. Ky indeks e rendit vendin në krye të rajonit, duke e distancuar qartësisht nga fqinjët, pavarësisht të ardhurave shumë më të ulëta për frymë.
Në Ballkan, kontrasti është i mprehtë. Kroacia regjistron një nivel çmimesh prej 126, çka e bën Shqipërinë rreth 24 për qind më të shtrenjtë. Mali i Zi ndodhet edhe më poshtë, me indeks 123, ndërsa Serbia qëndron në 112, gati 37 për qind më e lirë se Shqipëria.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, dy prej tregjeve më të lira të rajonit shfaqen përkatësisht me 107 dhe 99, duke e vendosur Shqipërinë rreth 54 për qind dhe mbi 50 për qind më të shtrenjtë. Edhe Bosnjë dhe Hercegovina, me indeks 90, tregon se pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë afërsisht 70 për qind më shumë se në atë treg.
Kur Shqipëria krahasohet me nivelin europian, tabloja bëhet edhe më e theksuar. Vendet nordike si Islanda, Norvegjia dhe Finlanda mbajnë rekordet më të larta me indekse përkatësisht 285, 226 dhe 210, ndërsa Turqia dhe Irlanda ndjekin me 203 dhe 198. Në këtë grup të çmimeve të larta,
Shqipëria pozicionohet menjëherë pas tyre, shumë pranë Greqisë dhe dukshëm përpara shteteve të konsoliduara të BE-së. Franca renditet në nivelin 102, Luksemburgu në 103, Holanda në 100, ndërsa Italia dhe Gjermania shfaqen edhe më poshtë me 84 dhe 87. Kjo do të thotë se çmimet e alkoolit në Shqipëri janë rreth 53 për qind më të larta se mesatarja e BE-së dhe dukshëm më të larta se në ekonomitë e mëdha europiane.
Në këtë kontekst, Shqipëria del si një rast unik: një vend me të ardhura relativisht të ulëta, por me çmime të pijeve alkoolike që rivalizojnë ose tejkalojnë ato të shteteve shumë më të pasura.
Faktorët që kontribuojnë në këtë diferencë lidhen me nivelin e akcizave, varësinë e lartë nga importet, strukturën e tregut dhe marzhet tregtare, që në shumë raste rezultojnë më të larta sesa në vendet ku konkurrenca dhe prodhimi vendas e ulin çmimin përfundimtar. Kjo e bën Shqipërinë një nga tregjet më të shtrenjta për konsumatorët që blejnë produkte alkoolike, qoftë në krahasim me rajonin, qoftë me pjesën tjetër të kontinentit.


