Digjitalizimi po ndryshon mënyrën se si ndërmarrjet e vogla dhe të mesme operojnë, komunikojnë me klientët dhe menaxhojnë të dhënat. Por, sa më shumë procese të zhvendosen në mjedisin digjital, aq më e madhe bëhet nevoja për siguri kibernetike dhe qeverisje të të dhënave.
Të dhënat e “Western Balkans Enterprise Survey 2026” të OECD tregojnë një situatë me dy pamje: në njërën anë, shumica e SME-ve deklarojnë se kanë politika për privatësinë e të dhënave; në anën tjetër, zbatimi praktik i këtyre politikave dhe masat konkrete të sigurisë kibernetike mbeten ende një sfidë.
Për Shqipërinë, panorama është relativisht pozitive në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por shifrat tregojnë se ekziston ende punë për t’u bërë mes formalizimit dhe mbrojtjes reale të informacionit.
Shqipëria ndër vendet me përqindjen më të lartë të politikave të privatësisë
Sipas sondazhit të OECD, 72% e SME-ve të anketuara në Ballkanin Perëndimor deklarojnë se kanë një politikë për privatësinë e të dhënave.
Përqindja ndryshon sipas madhësisë së biznesit.
Politika të tilla deklarohen nga 69% e mikro-ndërmarrjeve, 74% e ndërmarrjeve të vogla dhe 77% e ndërmarrjeve të mesme.
Në Shqipëri, 74% e bizneseve të anketuara raportojnë se kanë një politikë për privatësinë e të dhënave. Ky nivel e rendit vendin ndër ekonomitë me përqindjen më të lartë në rajon, pas Malit të Zi me 81% dhe Serbisë me 77%.
Në krahun tjetër, Kosova regjistron 64%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 59%.
Një tjetër element interesant është se përqindja rritet në 85% te kompanitë më të orientuara drejt eksporteve. Kjo lidhet me faktin se aktiviteti në tregjet ndërkombëtare i ekspozon kompanitë ndaj kërkesave më të larta për përputhshmëri ligjore, standarde të sigurisë dhe besueshmëri në menaxhimin e informacionit.
Megjithatë, OECD paralajmëron se vetë ekzistenca e një dokumenti të quajtur “politikë e privatësisë” nuk duhet të interpretohet automatikisht si provë se të dhënat janë të mbrojtura në mënyrë efektive.
Një politikë mund të jetë një sistem i plotë qeverisjeje, që përfshin klasifikimin e të dhënave, kontrollin e aksesit, procedurat për reagimin ndaj incidenteve dhe përgjegjësitë e stafit. Por mund të jetë edhe thjesht një dokument formal me ndikim të kufizuar në praktikën e përditshme.
Pikërisht këtu qëndron një nga problemet kryesore të evidentuara nga sondazhi: formalizimi i rregullave nuk është i njëjtë me zbatimin e tyre.
Siguria kibernetike mbetet kryesisht në nivelin bazë
Të dhënat për masat konkrete të sigurisë kibernetike e bëjnë më të dukshëm këtë hendek.
Masa më e përhapur është përdorimi i fjalëkalimeve të forta dhe të sigurta, e raportuar nga 53.2% e bizneseve.
Pas saj renditet përdorimi i programeve antivirus dhe anti-malware të përditësuara, me 37.6%.
Autentifikimi me dy faktorë përdoret nga 27.4% e bizneseve, ndërsa sistemet VPN ose firewall nga 22%.
Më pak të përhapura janë masat që kërkojnë kapacitete dhe burime më të strukturuara: vetëm 16.4% e bizneseve kryejnë vlerësime të rregullta të sigurisë kibernetike me ekspertë, ndërsa vetëm 10.5% zhvillojnë trajnime për sigurinë kibernetike të paktën një herë në vit.
Por shifra më shqetësuese është kjo: 22% e bizneseve deklarojnë se nuk kanë asnjë nga masat e mësipërme të sigurisë kibernetike.
Problemi është edhe më i theksuar te të vetëpunësuarit, ku kjo përqindje arrin në 38%.
Madhësia e biznesit duket se është një faktor përcaktues. Ndërmarrjet e mesme kanë nivele më të larta përdorimi të masave të sigurisë në të gjitha kategoritë, ndërsa mikro-bizneset, pavarësisht se përdorin në një masë të ngjashme disa masa bazë, kanë shumë më tepër gjasa të mos kenë asnjë praktikë të sigurisë kibernetike.
Kjo mund të lidhet drejtpërdrejt me burimet financiare dhe njerëzore. Për një kompani të vogël, një auditim periodik kibernetik, një ekspert i jashtëm apo trajnimi i stafit mund të konsiderohen kosto shtesë. Por pikërisht këtu shfaqet një paradoks: ajo që sot shihet si kosto parandaluese mund të kthehet nesër në kosto shumë më të lartë nga një sulm kibernetik, humbja e të dhënave ose ndërprerja e aktivitetit.
Politika e privatësisë nuk garanton automatikisht siguri
Analiza e OECD tregon se bizneset që kanë një politikë për privatësinë e të dhënave përdorin më shumë masa sigurie se ato që nuk kanë një politikë të tillë.
Por lidhja është larg të qenit e plotë. Rreth 18% e kompanive që deklarojnë se kanë politikë për privatësinë raportojnë gjithsesi se nuk përdorin asnjë masë të sigurisë kibernetike.
Vetëm 36% e kompanive me politikë privatësie zbatojnë tre ose më shumë masa të strukturuara të sigurisë.
Në kompanitë që nuk kanë politikë privatësie, situata është edhe më e dobët: 39% nuk kanë asnjë masë sigurie dhe vetëm 13% përdorin tre ose më shumë masa.
Kjo tregon se politika e privatësisë ka një ndikim pozitiv, por nuk mjafton.
Një biznes mund të ketë një dokument që përcakton mënyrën se si duhet të trajtohen të dhënat personale, por nëse punonjësit përdorin fjalëkalime të dobëta, nuk ka autentifikim me dy faktorë, nuk kryhen kontrolle të rregullta dhe nuk ekziston një plan reagimi ndaj incidenteve, mbrojtja mbetet kryesisht formale.
Rreziku i sulmeve mund të jetë më i madh se sa tregojnë shifrat
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike. Rreth 18% e SME-ve të anketuara deklarojnë se kanë përjetuar një sulm kibernetik.
Por 29% të tjera nuk janë në gjendje të thonë nëse kanë qenë apo jo objektiv i një sulmi. Kjo do të thotë se 47% e bizneseve ose konfirmojnë një incident, ose nuk mund ta përjashtojnë atë.
Një pjesë e sulmeve mund të mos identifikohen fare, sidomos në kompanitë që nuk kanë sisteme të monitorimit të rrjetit, kontrolle të rregullta, auditime ose ekspertë të sigurisë kibernetike.
Në këtë kuptim, përqindja prej 18% nuk duhet lexuar si kufiri real i rrezikut. Ajo mund të jetë vetëm pjesa e incidenteve që bizneset kanë mundur të identifikojnë. Madje, kompanitë që kanë masa sigurie raportojnë incidente të konfirmuara në nivele më të larta, rreth 20–22%, krahasuar me 10% te kompanitë pa masa sigurie.
Në pamje të parë kjo mund të duket paradoksale. Në fakt, OECD e lidh këtë më shumë me ekspozimin dhe aftësinë për të zbuluar incidentet sesa me joefektivitetin e masave të sigurisë. Një kompani që investon në siguri ka më shumë gjasa të identifikojë një sulm që një kompani tjetër mund të mos e vërejë. /ekofin.al
