Shqipëria ka vetëm 7 stacione automatike për monitorimin e cilësisë së ajrit në të gjithë vendin dhe ato janë jooperacionale për shkak të fondeve të pamjaftueshme për mirëmbajtjen, sipas raportit të fundit për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit.
Dokumenti vlerëson se gjatë vitit 2025 nuk është shënuar progres në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian për cilësinë e ajrit.
Problemi nuk qëndron vetëm te numri i kufizuar i pikave të matjes. Raporti thekson se Shqipëria duhet të përmirësojë monitorimin mjedisor dhe të forcojë kapacitetet administrative për të përmbushur standardet evropiane.
Pa një rrjet funksional matës, bëhet më e vështirë të përcaktohet në mënyrë të vazhdueshme niveli i ndotjes dhe të vlerësohet efektiviteti i masave për uljen e saj.

Çështja merr rëndësi edhe për shëndetin publik. Raporti vëren se shumë qytete të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë nivele ndotjeje mbi kufijtë e BE-së dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në qytetet kryesore të gjashtë ekonomive të rajonit, numri i vdekjeve të parakohshme që i atribuohen grimcave PM2.5 për vitin 2019 vlerësohej mes 4,600 dhe 5,300 personave.
Raporti evidenton një kontrast të fortë edhe me vendet e tjera të rajonit. Mali i Zi, për shembull, ka ngritur një rrjet me 9 stacione automatike që kryejnë matje të vazhdueshme në tri zona të cilësisë së ajrit, ndërsa në Serbi gjatë vitit 2025 u instaluan 9 stacione të reja dhe pajisje të reja në 31 stacione ekzistuese.
Dobësitë e Shqipërisë shtrihen edhe te kontrolli i ndotjes industriale. Raporti thotë se vendi ka bërë progres të kufizuar në përafrimin me Direktivën për Emetimet Industriale dhe se procesi i lejeve industriale ende nuk përfshin në mënyrë sistematike përfundimet mbi Teknikat më të Mira të Disponueshme (BAT). Kapacitetet administrative të autoriteteve që japin këto leje mbeten gjithashtu të kufizuara.
Kjo bëhet më e rëndësishme me hyrjen e plotë në fuqi të detyrimeve financiare të mekanizmit europian të karbonit, CBAM, nga 1 janari 2026, i cili rrit presionin mbi sektorë si çeliku dhe çimentoja për uljen dhe dokumentimin e emetimeve. /ekofin.al
