Dhënia e tokave shtetërore me qira, kryesisht për impiantet fotovoltaike, është kthyer në një trend, sidomos në dy vitet e fundit. Ndërkohë, bashkitë në rang vendi, në harkun kohor 2015 – 2024, kanë shpallur 750 procedura për dhënie me qira të pasurive publike nëpërmjet Ankandit Publik dhe Ofertave të Qirave. Në total, sipas të dhënave të bëra publike nga openprocurement.al tregojnë që janë rreth 6 350 hektarë tokë pasuri shtetërore të dhëna me qira nga bashkitë (finalizuar me fitues).
Viti 2024 rezulton viti me vlerën më të lartë të tokave të dhëna me qira, konkretisht rreth 2 325 hektarë, ose 36.6% e totalit të sipërfaqeve të dhëna me qira në 10 vitet e fundit, përmes 53 procedurave.
Ndër aktivitetet ekonomike, energjia e rinovueshme zë pjesën më të madhe të pasurisë shtetërore të dhënë me qira. Në total, 3 750 hektarë tokë publike rezultojnë të dhëna me qira për zhvillimin ekonomik në fushën e energjisë së rinovueshme. Vitet 2023 dhe 2024 përbëjnë periudhën me sipërfaqet më të mëdha të dhëna për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, përkatësisht 1,127.9 hektarë në vitin 2023 dhe 2,291.6 hektarë në vitin 2024.
Aktiviteti i dytë për nga sipërfaqja e tokës publike të dhënë me qira është agropylltaria dhe mbarështimi i florës e faunës së egër, me rreth 2,120 hektarë në total. Viti me sipërfaqen më të madhe të dhënë për këtë qëllim është 2020, me 531 hektarë tokë të dhënë me qira.
Lista vijon me bujqësinë dhe blegtorinë, rreth 212 hektarë tokë publike të dhënë me qira, si dhe me veprimtaritë turistike dhe rekreative, që zënë 207 hektarë. Aktivitetet e tjera zënë një peshë më të vogël, përfshirë industrinë dhe prodhimin me rreth 24 hektarë, ku hyjnë aktivitete si përpunimi i materialeve të ndryshme industriale, etj. Për shërbime dhe veprimtari ekonomike (bar-kafe, fast food, aktivitet fason, etj.) janë dhënë 15 hektarë, ndërsa për përmirësim të infrastrukturës, ku përfshihen rrugë, depo ose objekte ndihmëse, janë dhënë rreth 4 hektarë. Për akuakulturë janë dhënë rreth 1.7 hektarë tokë publike me qira, etj.
Në total, rezultojnë të kenë dhënë pasuri publike me qira 41 bashki. Por ajo që bie në sy është se ndërkohë që Bashkia Poliçan ka bërë “kërrdinë”, me procedurat e ankandeve dhe qiradhënies, duke u renditur e para në shkallë vendi, bashkia komshi me të, ajo e Beratit i ka rezistuar presioneve për të akorduar tokë publike për biznesit me kushte shumë preferenciale, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet kryesisht për fotovoltaike. Sipas të dhënave të analizuara nga ekofin.al, rezulton se bashkia e Beratit të jetë mes të paktave në shkallë vendi që nuk ka realizuar asnjë procedure qiradhënieve për tokat publike.
Bashkia Poliçan ka akorduar rreth 1 672 hektarë tokë të dhënë me qira – 98% e së cilës për energji të rinovueshme. Në vend të dytë qëndron Bashkia Krujë (ankand & qiradhënie) me 885 hektarë, nga të cilat 98.5% janë dhënë për agropylltari dhe mbarështimin e florës/faunës së egër. Bashkia Elbasan pozicionohet e treta, me gjithsej 730 hektarë tokë të dhënë me qira (ankand & qiradhënie) gjatë dhjetë viteve të fundit, ku 58.7% (428 ha) janë për energji të rinovueshme dhe 38% (277 ha) për agropylltari.
Më tej renditet Bashkia Kolonjë me 656 hektarë tokë të dhënë me qira – rreth 90% për energji të rinovueshme. Pas kësaj, Bashkia Devoll ka dhënë 414.5 hektarë tokë, të gjitha për qëllime të lidhura me energjinë e rinovueshme. Në total pesë bashkitë e para për nga sipërfaqja e dhënë me qira përbëjnë rreth 60% të gjithë sipërfaqes të dhënë nga bashkitë në shkallë vendi. /ekofin.al
Sipërfaqja në hektarë e dhënë me qira sipas bashkive



