Shqipëria shënon një hap më pranë BE-se, me hapjen sot të negociatiave për grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Konferenca e gjashtë ndërqeveritare u mbajt në Bruksel dhe u bashkëdrejtua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Me këtë konferencë, vendi ynë nis zyrtarisht negociatat për 4 kapituj: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike. Para takimit, komisionerja e BE-së për Zgjerim priti kryeministrin Rama në “Murin e Zgjerimit”, në të cilin hoqën shenjën e kuqe nga 4 kapitujt, duke i bërë me të verdhë, që simbolizon hapjen e tyre.
Më pas, pas mbylljes së takimit, kryeministri Rama mbajti një konferencë për shtyp me ministren daneze, dhe me komisioneren Kos. Kjo e fundit vlerësoi edhe njëherë ecurinë e Shqipërisë në këtë proces, të cilën e vlerësoi si mbresëlënës, ndërsa shtoi se edhe BE ka përgjegjësi të mbështesë këtë kandidate kaq të zellshme, siç iu referua ajo vendit tonë. Kos theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e të bërit të njëjtin si hap si me hapjen e këtyre kapitujve, dhe më pas me mbylljen e tyre, që do të hapte rrugën drejt anëtësimit.
“Vizioni i kryeministrit tuaj është të përmbyllim nëgociatat në fund të vitit 2027, e mbështesim këtë vizion çka do të thotë se në momentin që kemi këtë kandidat kaq të zellshëm, është edhe përgjegjësia nga ana jonë që t’i mbështesim me energjinë dhe fuqinë njerëzore në Bruksel”, tha mes të tjerash gjatë konferencës komisionerja Kos.
Edhe ministrja daneze, Marie Bjerre vlerësoi rezultatet e arrita nga Shqipëria.
“Shqipëria ka treguar se e sheh të ardhmen e saj në Europë, ju po jepni rezultate dhe meritoni që këto t’iu njihen. Ka ende shumë punë, por sot është një gur kilometrik dhe drejtimi është i qartë. Danimarka do të bëjë çmos për të çuar përpara zgjerimin, mbetet thelbësore që vendet kandidate të bëjnë realizime të reformave dhe të përmbushjes së kritereve të Kopenhagë. Shqipëri vazhdoni më tej me punën e mirë”, tha Marie Bjerre.
Kryeministri Edi Rama tha se kapitujt e Agjendës së Gjelbër janë sfiduese, dhe se në këto dy vite, deri në arritjen e objektivit të vendosur, që deri në 2027 të kenë hapur të gjithë grupkapitujt, do të duhet që të ‘rishpikin veten’. Rama tha se duke marrë parasysh sfidën që kanë me këto 4 kapituj, kanë vënë në dispozicion një ministri vetëm për mjedisin.
“ Sfida jonë është të rishpikim veten deri në fund dhe kjo është arsyeja pse përmenda se tanimë kemi ministri më vete vetëm për mjedisin, me një ekip që është rritur gjatë detyrës, me ministër të ri që është negociatori nga pala jonë dhe tashmë i duhet të gjejë negociator që ta shoqërojë dhe sigurisht kjo nuk do të ishte diçka që disa vjet më patrë do ta kisha marrë në konsideratë. Por sot është e qartë, është proces të mësuar për të gjithë ne dhe duhet të jemi të përulur, të përkushtuar ndaj punës dhe ta duam Evropën me gjithë pasionin tone”, tha Rama.
Nuk kurseu as batutat teksa tha se kjo është hera e parë në histori për Shqipërinë që ka zgjedhur lirisht se me kë do të martohet.
“Jemi martuar me detyrim me perandor të tjera në të shkuarën, kjo është një perandori pjesë e së cilës duam të jemi”, tha Rama.
Deri tani, Shqipëria ka çelur 5 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse, “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Konferenca e ardhshme ndërqeveritare, e planifikuar më 2 tetor, do të përqendrohet tek grupkapitulli i fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”.




