Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për dendësinë e serverëve të sigurt të internetit, një tregues që OECD e përdor për të matur kapacitetin e një ekonomie për të ofruar transaksione dhe shërbime digjitale të enkriptuara dhe gatishmërinë e infrastrukturës për të përballuar rreziqet kibernetike. Në periudhën 2023-2024, rezultati i Shqipërisë ishte vetëm 1.7% e nivelit mesatar të Bashkimit Evropian.
Hendeku është i madh jo vetëm me BE-në, por edhe me ekonomitë e tjera të rajonit. Serbia kryeson Ballkanin Perëndimor me 15.1% të nivelit të BE-së, pothuajse nëntë herë rezultatin e Shqipërisë. Pas saj vijnë Bosnjë-Hercegovina me 6.4%, Mali i Zi me 5.1%, Kosova me 4.1% dhe Maqedonia e Veriut me 2.3%. Shqipëria, me 1.7%, mbetet në fund të renditjes.
Problemi, megjithatë, nuk është vetëm shqiptar. OECD e cilëson serverët e sigurt si treguesin me performancën më të dobët të të gjithë klasterit të transformimit digjital në Ballkanin Perëndimor. Në 2023-2024, rajoni kishte mesatarisht vetëm 4,914 serverë të sigurt për një milion banorë, kundrejt 84,617 serverëve për një milion banorë në BE. Kjo e vendos mesataren rajonale në vetëm 5.8% të nivelit evropian.
Serverët e sigurt përdorin enkriptim për të mundësuar transaksione online dhe shërbime digjitale të mbrojtura. Sipas OECD-së, numri i tyre jep një tregues të kapacitetit të një ekonomie për hosting të sigurt, përpunim të të dhënave dhe ofrim të shërbimeve digjitale.
Për Shqipërinë, hendeku bëhet më domethënës sepse shfaqet në kontrast me përparimin e shpejtë në fusha të tjera të digjitalizimit. Vendi ynë kryeson rajonin për përdorimin e inteligjencës artificiale nga bizneset dhe për përdorimin e shërbimeve publike digjitale, por infrastruktura e serverëve të sigurt mbetet në fund të Ballkanit Perëndimor.
Madje, rezultati relativ i Shqipërisë nuk është përmirësuar gjatë periudhës së fundit. Ai ka zbritur nga 1.9% e nivelit të BE-së në 2020-2022 në 1.7% në 2023-2024. Në të njëjtën kohë, Mali i Zi është përmirësuar nga 1.7% në 5.1%, ndërsa Serbia, megjithëse vijon shumë më përpara se pjesa tjetër e rajonit, ka zbritur nga 18.1% në 15.1%.
OECD e lidh hendekun e madh të Ballkanit Perëndimor me kapacitetet ende të kufizuara të hosting-ut të sigurt dhe përpunimit të të dhënave, kërkesën e ulët vendase për shërbime të avancuara hosting dhe zhvillimin e pamjaftueshëm të infrastrukturës cloud.
Një tregues tjetër e përforcon këtë problem. Në vitin 2025, të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kishin së bashku vetëm 23 “edge nodes”, ose pika lokale infrastrukturore që përdoren për të ofruar dhe përpunuar shërbime dixhitale sa më pranë përdoruesit. Në BE numëroheshin 2,257 të tilla. OECD vëren se kjo sugjeron që një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve digjitale të përdorura në rajon mbështeten në infrastrukturë të vendosur jashtë Ballkanit Perëndimor.
Kjo krijon një nga kontrastet më të forta të profilit digjtal të Shqipërisë: përdorimi i teknologjive të reja dhe shërbimeve online po rritet shpejt, ndërsa infrastruktura vendase e sigurt që duhet t’i mbështesë ato mbetet shumë larg standardit evropian./ekofin.al

