Shqipëria po përgatit një kuadër të ri rregullator për kontrollin e ndotjes së ujërave sipërfaqësore, duke përditësuar listën e substancave të rrezikshme që duhet të monitorohen në lumenj, liqene dhe trupa të tjerë ujorë. Për herë të parë do të krijohet edhe një listë kombëtare vëzhgimi, ku përfshihen substanca farmaceutike dhe pesticide, prania e të cilave mund të përbëjë rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.
Ndryshimet parashikohen në një projektvendim të Ministrisë së Mjedisit, të përgatitur për miratim nga Këshilli i Ministrave, i cili synon përafrimin e standardeve shqiptare me legjislacionin e Bashkimit Evropian për cilësinë e ujërave.
Sipas dokumentit të konsultuar nga Ekofin.al, nisma përcakton listën e substancave prioritare dhe atyre me rrezikshmëri të lartë, standardet e lejuara të përqendrimit të tyre në mjedisin ujor, si dhe detyrimet e institucioneve për monitorimin e vazhdueshëm.
Projektvendimi mbështetet në ligjin e ri nr. 29/2024, “Për burimet ujore”, dhe zëvendëson dy vendime të vitit 2014 që rregullojnë aktualisht standardet e cilësisë së ujërave dhe substancat prioritare.
Në listë 45 substanca dhe grupe ndotësish
Një nga elementet kryesore të projektvendimit është përditësimi i listës së substancave prioritare, ku përfshihen 45 substanca ose grupe substancash që kërkojnë kontroll të veçantë për shkak të ndikimit të mundshëm në ekosistemet ujore.
Në këtë listë bëjnë pjesë metale të rënda, pesticide, komponime industriale dhe ndotës të tjerë kimikë.
Mes tyre përfshihen merkuri, kadmiumi, plumbi, nikeli, benzeni, atrazina, klorpirifosi, dioksinat, hidrokarburet poliaromatike dhe komponime të tjera që mund të jenë të dëmshme për organizmat ujorë dhe zinxhirin ushqimor.
Një pjesë e këtyre substancave klasifikohen si prioritare të rrezikshme, çka kërkon vëmendje të veçantë në vlerësimin e cilësisë së ujërave.
Për secilën substancë përcaktohen standarde të cilësisë mjedisore, të cilat shërbejnë si referencë për të vlerësuar nëse përqendrimet e ndotësve në ujë apo në organizmat e gjallë janë brenda niveleve të përcaktuara.
Për herë të parë monitorim i veçantë për mbetjet e ilaçeve dhe pesticideve
Një risi e rëndësishme është krijimi i listës së parë kombëtare të vëzhgimit, e cila synon identifikimin e substancave që mund të jenë të pranishme në mjedisin ujor, por për të cilat informacioni dhe të dhënat e monitorimit mbeten të kufizuara.
Sipas relacionit shpjegues, lista është hartuar duke marrë në konsideratë kushtet mjedisore të Shqipërisë, studimet shkencore të universiteteve shqiptare dhe të dhënat për importin dhe prodhimin e medikamenteve gjatë viteve 2024–2025.
Në kategorinë e substancave farmaceutike janë përzgjedhur metformina, guanilurea, oksitetraciklina dhe tetraciklina.
Metformina është një substancë që përdoret në trajtimin e diabetit, ndërsa tetraciklina dhe oksitetraciklina janë antibiotikë. Monitorimi synon të identifikojë praninë e mundshme të mbetjeve të këtyre substancave në ujërat sipërfaqësore.
Në kategorinë e pesticideve janë përzgjedhur abamektina, cyazofamidi, difenokonazoli dhe mefentriflukonazoli.
Këto substanca përdoren në produkte për mbrojtjen e bimëve dhe mund të arrijnë në mjediset ujore përmes rrjedhjeve sipërfaqësore apo shkarkimeve të ndryshme.
Përfshirja në listën e vëzhgimit nuk nënkupton se është konfirmuar ndotja e ujërave shqiptare nga këto substanca, por se autoritetet synojnë të mbledhin të dhëna për praninë dhe përqendrimet e tyre.
Monitorim çdo muaj, për të paktën një vit
Projektvendimi përcakton edhe afate konkrete për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të ri të monitorimit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duhet të sigurojë monitorimin e substancave të përfshira në listën kombëtare të vëzhgimit në stacionet përfaqësuese.
Monitorimi i listës së parë duhet të nisë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit dhe të zhvillohet çdo muaj, për një periudhë të paktën 12-mujore.
Pas përfundimit të vitit të parë, institucionet përgjegjëse do të analizojnë rezultatet dhe do të vendosin nëse monitorimi i substancave përkatëse duhet të vijojë edhe gjatë vitit pasardhës.
Për çdo substancë të re që do t’i shtohet listës kombëtare në të ardhmen, monitorimi duhet të fillojë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit përkatës.
Projektvendimi parashikon gjithashtu përzgjedhjen e stacioneve përfaqësuese të monitorimit, duke marrë parasysh popullsinë, sipërfaqen gjeografike dhe mundësinë e pranisë së substancave në zona të caktuara.
Kontroll edhe për ndotësit që mund të kalojnë në zinxhirin ushqimor
Një tjetër element i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërmjet institucioneve që monitorojnë ujërat dhe atyre që kontrollojnë sigurinë ushqimore.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të shkëmbejnë dhe analizojnë të dhëna me Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për substancat prioritare që monitorohen edhe në produktet ushqimore.
Ky mekanizëm synon të përmirësojë vlerësimin e rreziqeve që lidhen me praninë e ndotësve në organizmat ujorë dhe mundësinë e kalimit të tyre në zinxhirin ushqimor.
Standardet e reja do të shërbejnë gjithashtu për vlerësimin e gjendjes kimike dhe ekologjike të trupave ujorë dhe për përcaktimin e masave që duhet të përfshihen në planet e menaxhimit të baseneve lumore.
Mungesë të dhënash për disa ndotës industrialë
Relacioni shpjegues evidenton edhe mangësi në informacionin që disponohet aktualisht për praninë e disa kategorive të ndotësve në Shqipëri.
Për substancat që përdoren në produktet e mbrojtjes nga rrezatimi diellor, ekspertët nuk kanë arritur të identifikojnë substanca konkrete që mund të përfshihen në listën e parë kombëtare të vëzhgimit.
Për këtë arsye rekomandohet monitorimi i shkarkimeve të ujërave të ndotura industriale, me qëllim identifikimin e mundshëm të pranisë së tyre dhe përfshirjen në listat e ardhshme.
Edhe për disa kategori kimikatesh industriale, relacioni thekson se studimet e deritanishme nuk kanë evidentuar të dhëna të mjaftueshme për praninë e substancave të caktuara, ndërkohë që informacioni i monitorimit mbetet i kufizuar.
Kjo tregon se një nga sfidat e zbatimit të kuadrit të ri do të jetë zgjerimi i kapaciteteve të analizave laboratorike dhe krijimi i një baze më të plotë të dhënash për ndotjen kimike të ujërave./ekofin.al
