Shqipëria do të ketë një kuadër të ri për identifikimin e zonave të rrezikuara nga përmbytjet, hartimin e hartave të rrezikut dhe planifikimin e masave për mbrojtjen e popullsisë, pronave dhe aktiviteteve ekonomike. Paralelisht, menaxhimi i burimeve ujore do të mbështetet në një strategji kombëtare 15-vjeçare, e cila do të marrë në konsideratë ndikimet e ndryshimeve klimatike, thatësirat dhe kërkesën në rritje për ujë.
Këto ndryshime parashikohen në një projektvendim të ri të Ministrisë së Mjedisit, të përgatitur për miratim nga Këshilli i Ministrave, i cili përcakton metodologjitë për menaxhimin e baseneve lumore dhe vlerësimin e riskut nga përmbytjet.
Sipas dokumentit të konsultuar nga Ekofin.al, nisma synon të përmirësojë planifikimin afatgjatë të burimeve ujore, duke vendosur rregulla të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian për identifikimin e rreziqeve dhe hartimin e planeve të ndërhyrjes.
Projektvendimi është hartuar në zbatim të ligjit nr. 29/2024, “Për burimet ujore”, dhe parashikon ndryshimin e një pjese të kuadrit rregullator të miratuar në vitin 2020.
Hartëzim i zonave të rrezikuara nga përmbytjet
Një nga elementet kryesore të projektvendimit është përcaktimi i metodologjisë për vlerësimin paraprak të riskut nga përmbytjet dhe përgatitjen e hartave të rrezikut dhe të riskut.
Këto dokumente do të shërbejnë për identifikimin e zonave ku përmbytjet mund të shkaktojnë pasoja të konsiderueshme për popullsinë, aktivitetin ekonomik, mjedisin dhe infrastrukturën.
Nëpërmjet vlerësimeve të reja synohet të krijohet një bazë më e qartë informacioni për planifikimin e masave parandaluese dhe për përcaktimin e prioriteteve të ndërhyrjes.
Hartat e rrezikut do të shërbejnë për të evidentuar shtrirjen e mundshme të përmbytjeve, ndërsa hartat e riskut do të ndihmojnë në vlerësimin e pasojave që këto ngjarje mund të kenë mbi zonat e prekura.
Ky proces është i rëndësishëm edhe për planifikimin territorial dhe investimet publike, pasi mundëson që vendimmarrja për zhvillimin e infrastrukturës të mbështetet në një vlerësim më të plotë të ekspozimit ndaj përmbytjeve.
Plane të posaçme për menaxhimin e riskut
Projektvendimi parashikon përcaktimin e elementeve që duhet të përmbajnë planet e menaxhimit të riskut nga përmbytjet.
Këto plane do të hartohen duke u mbështetur në rezultatet e vlerësimit paraprak të riskut dhe në hartat përkatëse, me qëllim përcaktimin e masave për zvogëlimin e pasojave të mundshme.
Në këtë mënyrë, menaxhimi i përmbytjeve synon të zhvendoset drejt një qasjeje më të strukturuar parandaluese, duke e lidhur identifikimin e zonave të rrezikuara me planifikimin e masave për mbrojtjen e tyre.
Për planet që janë tashmë në proces hartimi dhe për të cilat zonat me risk të konsiderueshëm janë identifikuar sipas kuadrit të vitit 2020, projektvendimi parashikon një dispozitë kalimtare, duke i përjashtuar nga një kërkesë e caktuar e metodologjisë së re të vlerësimit paraprak.
Kjo synon të shmangë përsëritjen e proceseve të kryera më parë dhe të mundësojë vijimësinë e planeve ekzistuese.
Strategji 15-vjeçare për menaxhimin e burimeve ujore
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si do të hartohet dhe zbatohet Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore.
Sipas projektvendimit, strategjia do të jetë dokumenti bazë i planifikimit afatgjatë për një periudhë 15-vjeçare.
Ajo do të përcaktojë vizionin, objektivat strategjikë dhe masat për ruajtjen, përdorimin dhe përmirësimin e gjendjes së burimeve ujore në Shqipëri.
Zbatimi i saj do të realizohet përmes planeve të veprimit pesëvjeçare, të cilat do të mbulojnë të gjithë periudhën e strategjisë.
Në përfundim të çdo periudhe pesëvjeçare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore do të kryejë vlerësimin e zbatimit të masave, do të përgatisë raportin e monitorimit dhe do të hartojë planin pasardhës të veprimit.
Strategjia do të rishikohet çdo 15 vjet, por projektvendimi lejon edhe rishikimin e saj përpara këtij afati, në rast ndryshimesh të rëndësishme mjedisore, ekonomike apo ligjore.
Ndryshimet klimatike dhe thatësirat pjesë e planifikimit
Për herë të parë në kërkesat e reja të strategjisë përcaktohet shprehimisht nevoja për përfshirjen e skenarëve të ndryshimeve klimatike, thatësirave dhe kërkesës për ujë.
Dokumenti duhet të analizojë presionet mbi burimet ujore, ndikimet e aktiviteteve njerëzore, gjendjen sasiore dhe cilësore të ujërave sipërfaqësore e nëntokësore, si dhe rreziqet që lidhen me fenomenet ekstreme.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet ndërveprimit ndërmjet ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve, sipas qasjes së njohur si Nexus.
Kjo do të thotë se planifikimi i burimeve ujore duhet të marrë në konsideratë njëkohësisht nevojat e bujqësisë, prodhimit të energjisë, furnizimit me ujë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Strategjia duhet të përmbajë gjithashtu analizën ekonomike të përdorimit të ujit, vlerësimin e efikasitetit sipas sektorëve, kostot financiare të masave të planifikuara dhe burimet e mundshme të financimit.
Kontrolle për shfrytëzimin e ujërave dhe burimet e ndotjes
Projektvendimi përcakton edhe elementet që duhet të përfshihen në planet e menaxhimit të baseneve lumore.
Për çdo basen do të kërkohet identifikimi dhe hartëzimi i trupave ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, si dhe vlerësimi i ndikimit të aktivitetit njerëzor mbi gjendjen e tyre.
Planet duhet të përfshijnë informacion mbi burimet e ndotjes, përdorimin e tokës, shfrytëzimin e ujërave, zonat e mbrojtura dhe rezultatet e monitorimit të cilësisë së ujit.
Një element i veçantë lidhet me kontrollet mbi shfrytëzimin e ujërave nëntokësore, përfshirë regjistrat përkatës të përdorimit, si dhe kontrollin e burimeve që shkaktojnë ndotje.
Dokumentet do të përmbajnë edhe analiza ekonomike të përdorimit të ujit dhe informacion mbi masat e ndërmarra për rikuperimin e kostove.
Kjo qasje synon të krijojë një lidhje më të fortë ndërmjet mbrojtjes së burimeve ujore, përdorimit ekonomik të tyre dhe përgjegjësive të institucioneve përkatëse.
Detyrim për të raportuar masat e pazbatuara
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me transparencën dhe vlerësimin e rezultateve të planeve të menaxhimit të baseneve lumore.
Sipas projektvendimit, gjatë përditësimit të planeve do të kërkohet raportimi i progresit për arritjen e objektivave mjedisore, duke përfshirë rezultatet e monitorimit.
Institucionet duhet të identifikojnë gjithashtu masat e parashikuara në planet e mëparshme që nuk janë zbatuar dhe të japin arsyet përkatëse.
Kjo krijon një mekanizëm për të vlerësuar jo vetëm masat e planifikuara, por edhe shkallën e realizimit të tyre.
Në këtë mënyrë, dokumentet e menaxhimit të baseneve lumore do të shërbejnë edhe si instrumente për ndjekjen e përgjegjësive institucionale dhe evidentimin e problematikave që pengojnë zbatimin e objektivave mjedisore.
Konsultim publik për strategjinë e re
Projektvendimi parashikon që hartimi i Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore të shoqërohet me konsultim ndërinstitucional dhe publik.
Projektstrategjia duhet të publikohet në faqet zyrtare të ministrisë përgjegjëse dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, të paktën gjashtë muaj përpara fillimit të periudhës së cilës i referohet.
Institucionet, qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë një muaj kohë për të paraqitur komentet dhe propozimet e tyre.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, me miratimin e projektvendimit synohet përputhshmëria e plotë me direktivën evropiane për përmbytjet, ndërsa aktet e tjera të nevojshme për përafrimin e legjislacionit të ujërave planifikohen të miratohen deri në vitin 2027./ekofin.al
