Shqipëria është duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.
Javën e shkuar zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia dhe drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado zhvilluan në Prishtinë raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.
Për palën e Kosovës, negociatat u drejtuan nga udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Leonora Ahmeti, në prani edhe të zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfertave, Ilir Kapiti.
Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin evropian.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit, përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar, si dhe përfitimet për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.
Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me: Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.