Shpenzimet për barnat e rimbursueshme në Shqipëri janë rritur gjatë vitit 2025, ndërsa pjesa më e madhe e fondit vijon të shkojë për barnat që tregtohen në farmacitë e rrjetit të hapur. Të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se buxheti i planifikuar për rimbursimin e barnave për vitin 2025 ishte 12.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e realizuara arritën në rreth 12.5 miliardë lekë, ose 99.2% e planit vjetor. Diferenca mes planit dhe realizimit rezultoi rreth 103 milionë lekë më pak se fondi i parashikuar.
Krahasuar me vitin 2024, shpenzimet për rimbursimin e barnave janë rritur me rreth 660 milionë lekë, ose 5.58%, një tregues që sipas raportit lidhet me shtimin e rasteve të sëmundjeve kronike, rritjen e rasteve të reja dhe ndryshimet në skemat e trajtimit për pacientët.
Nga të dhënat rezulton se Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare (DSHSU), ku përfshihet edhe QSUT, ka qenë njësia me tejkalimin më të lartë të planit të barnave të rimbursueshme. Gjatë vitit 2025, DSHSU e tejkaloi planin me rreth 130 milionë lekë, ose 3.2% mbi fondin e miratuar. Ndërkohë, Dega Pogradec dhe DRF Kukës rezultojnë pothuajse në kufijtë e planit, me tejkalime minimale prej 0.3% dhe 0.2%. Të gjitha drejtoritë dhe degët e tjera të Fondit rezultojnë brenda planifikimit të miratuar.
Nga ana tjetër, mosrealizimin më të lartë në përqindje e ka regjistruar Dega Lushnje, e cila realizoi vetëm 93.6% të fondit të planifikuar për barnat e rimbursueshme. Në vlerë absolute, diferencën më të madhe e ka DRF Tiranë, me rreth 65 milionë lekë më pak shpenzime krahasuar me planin.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e fondeve të rimbursimit vijon të shkojë për barnat që tregtohen në farmacitë private dhe rrjetin e hapur farmaceutik. Gjatë vitit 2025, rreth 64.3% e fondit total të rimbursimit është përdorur për barna të marra në rrjetin farmaceutik të hapur, ndërsa rreth 35.7% e fondeve janë shpenzuar për barna që tregtohen në farmacitë e spitaleve rajonale, disa spitaleve bashkiake dhe QSUT-së.
Raporti i FSDKSH-së thekson se rritja e shpenzimeve për barnat lidhet drejtpërdrejt me rritjen e barrës së sëmundjeve kronike dhe akute në vend, si dhe me zgjerimin e nevojës për trajtime të vazhdueshme për pacientët në sistemin publik shëndetësor./ekofin.al

