Në një analizë të re të publikuar nga Ookla mbi shpejtësinë e internetit në trenat europianë, Suedia rezulton vendi me lidhjen më të shpejtë Wi-Fi, me një shpejtësi mesatare shkarkimi prej 64.6 Mbps — më shumë se katërfishi i mesatares europiane (7.6 Mbps) dhe rreth 150 herë më e lartë se Holanda, që renditet e fundit me vetëm 0.4 Mbps.
Përveç Suedisë, vetëm Zvicra (29.8 Mbps), Irlanda (26.3 Mbps) dhe Çekia (23.4 Mbps) arrijnë mbi 20 Mbps, ndërsa Franca afrohet me 19.1 Mbps. Ndërkohë, Britania e Madhe (1.1 Mbps) dhe Spanja (1.5 Mbps) kanë ndër shpejtësitë më të ulëta në Evropë, së bashku me Austri (0.7 Mbps) dhe Holandën. Italia ka gjithashtu rezultate të dobëta (4.8 Mbps), në kontrast me Gjermaninë, që arrin 14.9 Mbps.
Ekspertët theksojnë se Suedia është përjashtim falë kombinimit të politikave të dedikuara për mbulimin hekurudhor, pajisjeve moderne në trenat dhe zbatimit të hershëm të teknologjisë FRMCS (5G për hekurudhat). Autoritetet suedeze kanë vendosur detyrime ligjore për mbulimin e linjave kryesore dhe investime në frekuenca të ulëta (700 MHz), që përmirësojnë sinjalin edhe në zona rurale.
Në shumicën e vendeve europiane, diferencat e mëdha në cilësinë e internetit në trena lidhen me faktin nëse korridoret hekurudhore trajtohen ose jo si zona prioritare për mbulim celular. Shumë trena ende përdorin Wi-Fi 4 dhe rrjetin e ngarkuar 2.4 GHz, ndërsa kalimi në Wi-Fi 5 dhe 5 GHz sjell përmirësime të ndjeshme.
Sipas ekspertëve, problemi nuk është vetëm në tren, por në gjithë sistemin e lidhjes — nga mbulimi përgjatë linjave hekurudhore deri te politikat publike dhe investimet e operatorëve. Modelet e Zvicrës dhe Suedisë tregojnë se ndërthurja e infrastrukturës moderne, mbulimit 4G/5G dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve dhe kompanive të telekomit mund të garantojë udhëtime më produktive dhe lidhje të qëndrueshme për pasagjerët./Përshtati nga Euronews, ekofin.al


