Bashkia e Shkupit ka publikuar shpalljen publike për subvencionimin e qytetarëve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për blerjen e kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë për vitin 2022. Qytetarët do të mund të aplikojnë online.
Personat që mund të aplikojnë janë ata që kanë blerë kondicionerë inverter duke filluar nga data 1 janar e këtij viti, dhe që rezultojnë banorë të kryeqytetit. Afati i aplikimit është deri në 1 nëntor të po këtij viti. Personat do të mund të përfitojnë në bazë të datës dhe orës kur kanë aplikuar dhe pas konfirmimit që kanë dorëzuar mjetet ngrohëse me djegie.
Në përputhje me kushtet e shpalljes publike, për të përfituar subvencione për kondicionerë inverter, qytetarët do të duhet të dorëzojnë vullnetarisht dhe pa kompensim stufat ekzistuese për dru, thëngjill apo naftë. Shuma me të cilën do të subvencionohen nuk do të jetë më e lartë se një mijë euro
Por përjashtim nga ky projekt bëjnë banorët të cilët jetojnë në shtëpi me ngrohje qendrore, pavarësisht nëse e përdorin atë, si dhe personat që kanë marrë më parë subvencione.
Në buxhetin e qytetit të Shkupit për vitin 2022 janë parashikuar të shpenzohen rreth 204 mijë euro për këtë qëllim.