Deklarata e Ministres së Bujqësisë Anila Denaj për shkrirjen e AKU, pas skandaleve të njëpasnjëshme me sigurinë ushqimore, nëse analizon ndryshimet ligjore të ndërmarra, nuk është as diçka e papritur, as reagim pas skandaleve dhe as ndonjë e re.
Në fakt, ligji i ri “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në shtator, i botuar në Fletore Zyrtare në 13 nëntor dhe që hyn në fuqi pas 6 muajsh, pra në mes të majit, parashikonte shkrirjen e AKU dhe riorganizimin e tij.
E njëjta gjë vlen edhe për një sërë strukturash të tjera, ku pritet të riorganizohen edhe një sërë organesh inspektuese në fushën e bujqësisë, mbikëqyrjes së arkivave; sigurisë dhe shëndeti në punë; në fushën e shëndetësisë, arsimit parauniversitar; turizmit; mbikëqyrjes së tregut; mbikëqyrjes së trashëgimisë kulturore; tokës, mbikëqyrjes së mjedisit dhe territorit. Në total në këtë ligj janë përfshirë ndryshime për 68 ligje të tjera specifike në të cilat parashikohen funksione inspektimi.
Përfshirja e ndryshimeve në legjislacionet specifike sipas fushave të cituara më sipër është bërë me arsyetimin se ligji i ri për inspektimet është akt gjithëpërfshirës.
Sipas ligjit, institucionet që janë në fushën e zbatimit të tij dhe që do t’i nënshtrohen procesit të riorganizimit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kështu, “Inspektorati Zooteknik” dhe “Inspektorati Veterinar” do të zëvendësohen me “strukturën përgjegjëse për inspektimin zooteknik” dhe “strukturën përgjegjëse për inspektimin veterinar”.
“Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës” do të zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse për inspektimin e mbrojtjes së tokës bujqësore”. “Inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës” zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse për inspektimin e punës”. “Inspektorati për mjedisin” do të zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”
Po kështu pritet të shkrihet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e cila së bashku me “Inspektorin e Policisë Pyjore dhe/ose administrata e zonës së mbrojtur” zëvendësohen me “strukturën përgjegjëse për inspektimin”, etj. Gjithashtu janë edhe një sërë inspektoratesh të tjera që riorganizohen.
Ndërsa inpektimet në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, kontrollit doganor, inspektimit në industrinë ushtarake dhe lojërat e fatit nuk janë objekt i këtij ligji, për këtë arsye strukturat inspektuese nuk ndryshojnë.
Në zbatim të këtij ligji, Këshilli i Ministrave do të nxjerrë një sërë aktesh nënligjore./ ekofin.al
