Gratë që konsumojnë sasinë më të madhe të ushqimeve ultra të përpunuara kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e polipeve që mund të çojnë në kancer, krahasuar me gratë që hanë më pak.
Shkencëtarët kanë identifikuar një faktor të mundshëm që po nxit rritjen globale të kancereve të zorrës së trashë dhe rektumit tek të rinjtë: ushqimet ultra të përpunuara.
Ushqimet ultra të përpunuara, ushqime gati për konsum si snack-et e paketuara, bukët e prodhuara masivisht, drithërat e ëmbëlsuara të mëngjesit, noodles instant, dhe pica të ngrira, përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të dietës sonë dekadave të fundit.
Paralelisht është rritur edhe numri i rasteve të kancerit kolorektal, dikur të konsideruara si sëmundje të moshës së thyer, por që tani diagnostikohen para moshës 50 vjeç. Këta pacientë shpesh diagnostikohen në faza më të avancuara dhe me rezultate më të dobëta mbijetese, gjë që i ka shtyrë studiuesit të analizojnë më nga afër ndikimin e ndryshimeve në stilin e të ushqyerit.
Për studimin më të fundit, studiuesit analizuan dietat dhe rezultatet e endoskopisë të mbi 29,000 grave në Shtetet e Bashkuara. Ata patën akses në më shumë se dy dekada të dhëna shëndetësore, duke i lejuar të gjurmonin gjendjen e këtyre grave me kalimin e viteve.
Gratë që konsumonin më shumë ushqime ultra të përpunuara kishin 45 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar adenoma – rritje ose polipe në zorrën e trashë dhe rektum që mund të çojnë në kancer – sesa gratë që hanin më pak.
Shumica e polipeve janë beninje, por disa mund të rriten dhe të zhvillohen në kancer, zakonisht gjatë disa viteve. “Rreziku i shtuar duket mjaft linear, që do të thotë se sa më shumë ushqime ultra–të përpunuara të konsumosh, aq më i madh bëhet potenciali për polipe të zorrës së trashë,” tha në një deklaratë Dr. Andrew Chan, një nga autorët e studimit dhe gastroenterolog në Mass General Brigham Cancer Institute në SHBA.
Chan tha se ngrënia e më pak ushqimeve ultra të përpunuara, të cilat zakonisht janë të larta në sheqer, kripë, yndyrna të ngopura dhe aditivë, mund të ndihmojë në “zbutjen e barrës në rritje të kancerit kolorektal me fillim të hershëm”.
Me rëndësi, nuk u gjet asnjë lidhje mes konsumit të ushqimeve ultra–të përpunuara dhe lezioneve të serruara, një tjetër pararendës i kancerit kolorektal.
Gjetjet mbetën të vlefshme edhe pasi studiuesit morën në konsideratë faktorë të tjerë rreziku për kancer kolorektal, duke përfshirë obezitetin dhe marrjen e ulët të fibrave.
Studimi, i publikuar në revistën JAMA Oncology, nuk provon se ushqimet ultra të përpunuara shkaktojnë kancer, por ai jep disa të dhëna mbi mënyrën se si dieta mund të ndikojë në rreziqet shëndetësore.
Studiuesit po eksplorojnë ende faktorë të tjerë jodietikë që mund të shpjegojnë rritjen e rasteve të kancerit kolorektal me fillim të hershëm. Ata gjithashtu duan të kuptojnë nëse disa ushqime ultra të përpunuara janë më të dëmshme se të tjerat, duke qenë se kjo kategori përfshin një gamë të gjerë produktesh.
Në studim, pjesa më e madhe e ushqimeve ultratë përpunuara të konsumuara nga gratë vinin nga bukët dhe ushqimet e përpunuara të mëngjesit, salcat, lyerjet, erëzat dhe pijet e ëmbëlsuara ose të ëmbëlsuara artificialisht si sodat.
“Dieta nuk është shpjegimi i plotë përse po shohim këtë trend, ne shohim shumë individë me kancer të hershëm të zorrës së trashë që ushqehen shumë shëndetshëm,” tha Chan./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
